Drejtësia

‘Partizani’, sot mbahet në GJKKO seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha

Gazeta Si - Sot rreth orës 14:30 është parashikuar që të mbahet seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ndaj të cilit është caktuar masa “detyrim paraqitje”, i akuzuar për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Ndërsa Berisha nuk ishte i pranishëm në GJKKO, seanca e djeshme u ndërpre, pasi mbrojtja e tij kërkoi kohë të njihet me aktet.

Ndërkohë, njëri prej dy avokatëve të Berishës, Genc Gjokutaj, ka thënë se ka bërë kallëzim ndaj gjyqtares së çështjes Irena Gjoka dhe kërkesë për përjashtimin e saj.

Por nga gjykata, në një reagim u tha se nuk kishte ardhur një kërkesë e tillë. Berisha refuzoi të shkonte në seancë, por doli në një konferencë për mediat, ku edhe njëherë nënvizoi se po respekton Kushtetutën.

Në GJKKO, përmes një prokure, ish-kryeministri u përfaqësua nga avokatët Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.

Vetë Berisha zgjodhi të mbajë një konferencë me gazetarët në orarin e caktuar nga GJKKO për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Për këtë çështje është arrestuar dhëndri i ish-kryeministrit Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit SPAK vendosi sekuestrimin e 16 pasurive të paluajtshme dhe llogarive bankare.

Mbi të rëndojnë dy akuza: “Korrupsionit pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

SPAK thotë se ai ka shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit dhe ka arritur të marrë përfitimet e parregullta si: privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejt. 5.4 milionë euro në cilësinë e investitorit, pa investuar tek shoqëria “Homeplan” shpk.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë