Futboll

Partizani shpallet kampion i Shqipërisë, në Europë shkon Vllaznia

Gazeta Si - Partizani është shpallur kampion i Shqipërisë për herë të 17-të në historinë e tij. Pas fitores 1-0 ndaj Teutës në “Arena e Demave”, ka shpërthyer festa e kuqe në kryeqytet. Tifozë të shumtë kishin mbushur stadiumin e Partizanit dhe menjëherë pas vërshëllimës së kryesorit Hamiti, ata kanë pushtuar fushën. Nuk munguan thumbimet për Tiranën.

Tirana fitoi 1-2 në Durrës me Erzenin dhe duhet të kënaqet me vendin e dytë këtë sezon, duke u dorëzuar titullin rivalëve të përjetshëm. Të dyja skuadrat e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta, nga 67, por diferencën e bënë sfidat direkte, ku Partizani ishte më mirë.

Stadiumi i Partizani, i mbushur me tifoze. gazeta Si, 29 maj 2023

Arinaldo Rrapaj realizoi golin e avantazhit ndaj Teutës afër fundit të pjesës së parë. Ai depërtoi bukur në zonë dhe kaloi edhe portierin Qirko, që më parë kishte ndalur tentativat e skuadrës së trajnerit Kolela. Në kohën shtesë Tedi Cara shënoi edhe golin e dytë.

Durrsakët ndërkohë kanë dorëzuar vendin e 4-t dhe mbeten jashtë Kupave të Europës këtë sezon. Ndeshja pati ritëm të ulët dhe ndërprerje të shpeshta të lojës. Në një moment edhe për shkak të gjendjes shëndetësore të një tifozi të Partizanit, për të cilin u kërkua të futej në fushë autoambulanca.

Vllaznia fitoi 1-2 në fushën e Bylisit dhe siguroi një vend në Kupat e Europës për sezonin e ardhëm. Ballshiotët bien në Kategorinë e Parë, kurse Erzeni duhet të luajë ndeshje shtesë për qëndrimin. Kukësi fitoi 0-1 në fushën e Egnatias dhe siguroi qëndrimin.

Verdiktet e sezonit 2022-2023
Ekipi kampion:
Partizani
Në Kupat e Europës: Partizani, Tirana, Egnatia dhe Vllaznia
Në ‘play-out’: Erzeni
Bien në Kategorinë e Parë: Kastrioti dhe Bylis
Ngjiten në Superiore: Skënderbeu dhe Dinamo

Superiore, java e 36-të
Sot
Partizani-Teuta 2-0
Erzeni-Tirana 1-2
Egnatia-Kukësi 0-1
Bylis-Vllaznia 1-2
Laçi-Kastrioti 3-0


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë