Ajo që Gazeta Si paralajmëroi, tashmë është bërë zyrtare. Franko Lerda nuk është më trajner i Partizanit, pasi klubi i kuq ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me italianin. Lajmi është bërë i ditur në faqen e Partizanit në Facebook.
“Klubi i Futbollit Partizani njofton se presidenti Gazmend Demi ka mbyllur ditën e sotme bashkëpunimin me trajnerin Franko Lerda. Presidenti Demi i uron trajnerit Lerda suksese të mëtejshme në karrierën e tij sportive”, - shkruhet në njoftimin e klubit kryeqytetas. Humbja në derbin me Tiranën duket se kishte “vulosur” largimin e trajnerit italian, por vendimi zyrtar është marrë pas mbylljes së ndeshjeve të javës së 15-të, ku Partizani ka zbritur në vend të tretë. Lerda u emërua në krye të ekipit të kuq në verë dhe gjatë gjithë kohës ai ka pasur probleme, duke hapur disa çështje me bashkëpunëtorët dhe lojtarët. Presidenti i Partizanit, Demi, nuk ka duruar më dhe tashmë ka vendosur për ndryshim në stol. Pritet të mësohet se kush do të jetë zëvendësuesi i Lerdës, ndërkohë që ka zëra për një rikthim të mundshëm të Skënder Gegës.
Kukësi është në vend të parë pas javës së 15-të të kampionatit. Fitorja 4-0 ndaj Teutës në stadiumin “Elbasan Arena” e ka ngjitur skuadrën e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro në vend të parë, me 27 pikë. Duhet theksuar se në këtë ndeshja janë akorduar 3 penallti në favor të Kukësit nga gjyqtari Juxhin Xhaja, duke sjellë kontestimet e klubit durrsak. Në Korçë ka fituar Vllaznia, me rezultatin 0-1, falë një goli me roveshiatë të Shtubinës. Skënderbeu pëson humbjen e dytë radhazi dhe tani qëndron në zonën e rënies.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.