Futboll

Partizani pa shënjestër dhe pa fat në Champions, fitore e madhe e Ballkanit

Gazeta Si – Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve. Të kuqtë dominuan në ‘Air Albania’ ndaj Bate Borisov, por gabuan shumë në sulm, duke e lënë kualifikimin të hapur për ndeshjen e kthimit që luhet në fushë neutrale në Hungari.

Pjesa e parë ndeshjes ishte e mbushur me raste për kampionët e Shqipërisë, të cilët shpërdoruan njëri pas tjetrit. Loja pati ritëm të lartë, ndërkohë që edhe Bate rezikoi në disa momente.

Në pjesën e dytë dy skuadrat e ulën ritmin, por bjellorusët goditën në rastin e parë që krijuan me sulmuesin Antilevski. Partizani reagoi mirë dhe barazoi me Tedi Carën në një goditje këndi. Të kuqtë morën zemër dhe e e zhvendosën lojën në gjysmëfushën e Bates. Murataj ishte pa fat, pasi goditi shtyllën me një gjuajtje të bukur.

Trajneri Zekiç freskoi sulmin në fund, duke aktivizuar edhe Eros Grezdën, ish-lojtarin e Kombëtares, por shifrat nuk ndryshuan dhe gjithçka u mbyll në barazim, 1-1.

Një fitore të madhe ka arritur sot Ballkani, ekipi kampion i Kosovës. Skuadra e trajnerit Ilir Daja mundi 2-0 Ludogorets të Bullgarisë, duke iu afruar kualifikimit në turin e dytë. Korenica dhe Zyba shënuan golat e triumfit në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Ballkani feston nje nga golat ndaj Ludogorets. Gazeta Si, 11 korrik 2023

Suksesi Ballkanit merr vlera të mëdha, duke ditur që kundërshtari është një ekip me eksperiencë në kupat e Europës dhe me një buxhet shumë më të madh se kampionët e Kosovës. Tani Dajës dhe të tijve u duhet të menaxhojnë sa më mirë ndeshjen e kthimit.

Struga kampione e Maqedonisë së Veriut barazoi pa gola me Zalgiris në Lituani. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, ku mund të ketë më shumë shanse për të kaluar në turin e dytë eliminator të Championsit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë