Futboll

Partizani mjaftohet me golin e Mba, fitore minimale ndaj modestëve nga Andorra

Gazeta Si – Partizani fiton 0-1 ndeshjen e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës ndaj Atletik Eskaldes të Andorrës. Kjo fitore i hap rrugën kualifikimit për në turin e tretë skuadrës kampione të Shqipërisë, që duhet thënë se gjithsesi nuk shkëlqeu në këtë 90-minutësh.

Skuadra e trajnerit Zekiç vuajti në pjesën e parë, jo për shkak të presionit të kundërshtarit, që ishte shumë modest e madje kishte ndryshuar edhe trajnerin një ditë më parë, por sepse ishte shumë e paqartë në lojë. Thuajse asnjë rast për shënim në 45 minutat e para.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua pak pas fillimit të pjesës së dytë nga sulmuesi Kristian Mba. Ai i rrëmbeu topin portierit kundërshtar në zonë dhe e dërgoi në rrjetë. Da Silva humbi një rast shumë të mirë për golin e dytë, më pas të kuqtë shpërdoruan edhe raste të tjera.

Eros Grezda e nisi nga minuta e parë këtë ndeshje, por qëndroi në dhomat e zhveshjes, pasi u zëvendësua nga trajneri Zekiç në pushim. Debutuan me fanellën e kuqe mbrojtësi Kocijan, titullar, dhe mesfushori Gjelbërim Taipi, i aktivizuar në pjesën e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë