Futboll

Partizani me plane të mëdha, do Grezdën dhe Roshin për një cikël të ri fitues

Gazeta Si - Partizani, ekipi kampion i Shqipërisë, ka nisur një revolucion në strukturat e tij drejtuese dhe teknike. Klubi i kuq synon të hapë një cikël të ri fitues dhe ka zgjedhur kroatin Zoran Zekiç për stolin, pasi largoi italianin Xhovani Kolela, edhe pse ai u shpall kampion.

Arbër Abilaliaj ka marrë detyrën e drejtorit sportiv të klubit kryeqytetas, ndërsa pas kuintave dhe veçanërisht për merkaton e të kuqve vepron Adrian Aliaj, ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë. Dhe për të shkuar tek ai cikli fitues që mendohet, kryeqytetasve u nevojitet kualitet në skuadër.

Trajneri Zekiç ne stervitjen e pare me Partizanin. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Për momentin ka vetëm një zyrtarizim, ai i sulmuesit Alber Keko që vjen nga Korabi. Ka zëra për një afrim të mundshëm te Eros Grezdës, ish-lojtarit të Kombëtares, po ashtu edhe të Odise Roshit, një tjetër emër i njohur i kuqezinjve. Më tepër janë deduksione logjike, duke ditur lidhjen e tyre me Aliajn që prej kohësh bën punën e menaxherit. Këta lojtarë njihen edhe nga trajneri i ri, sepse kanë luajtur në Kroaci.

Nëse këta dy lojtarë i bashkohen Partizanit, vërtet skuadra mund të bëjë atë kapërcimin e nevojshëm në kualitet. Megjithatë, nuk është e lehtë dhe projekte të tilla zakonisht marrin kohë, sepse lojtarët duhet të përshtaten me idetë e stafit teknik dhe me njëri-tjetrin.

Europa do të jetë një tregues i mirë për Partizanin: çfarë mund të bëjë në këtë nivel, por edhe se sa i përgatitur mund të jetë për të qenë faktor kryesor sezonin e ardhshëm në Superiore. Planet janë të mëdha, por çdo gjë matet në fushën e blertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë