Futboll

Partizani mbyll Kukësin në portë, por goli mbetet një mirazh

Asnjë fitues në dy ndeshjet e fundit të javës së 10-të të Superiores. Barazim pa gola në “Selman Stërmasi” mes Partizani dhe Kukësit, ndërsa në Vlorë ka përfunduar 1-1 sfida midis Flamurtarit dhe Skënderbeut.

Një ndeshje e zhvilluar thuajse e gjitha në gjysmëfushën e Kukësit, është mbyllur pa gola, pasi sulmuesit e Partizanit nuk mundën ta dërgonin në rrjetë. Edhe në një rast që Çinari realizoi, ishte në pozicion jashtë loje. Barazimi i ka dhënë Partizanit vendin e parë, me 18 pikë, por është një gjysmë hapi përpara për ekipin e Lerdës, që ishte shumë më pranë fitores. Kukësi ka vuajtur mungesën e sulmuesit kryesor Vasil Shkurtaj, i dëmtuar në nxemje, por edhe në radhët e Partizanit kisha disa mungesa me peshë, ku veçohet Telushi. Portieri Xhika ishte “heroi” i skuadrës së Duros në këtë ndeshje, ku një pikë është e pranueshme për kuksianët.

Nga ndeshja Partizani-Kukësi, 0-0. Gazeta Si, 28 tetor 2019

Në Vlorë ka pasur raste pa fund, por as Flamurtari dhe as Skënderbeu nuk kanë mundur të festojnë fitoren në fund. Barazim 1-1 dhe nga një pikë për secilën skuadër, që nuk ndryshon asgjë në objektivat e tyre, por më shumë i shërben ekipit korçar, që ngjitet në kuotën e 14 pikëve. Dejvi Bregu kaloi Skënderbeun në avantazh, ndërsa Sukaj barazoi për Flamurtarin brenda pjesës së parë. Fitorja mbetet një mision i pamundur për vlonjatët, me 3 pikë në 10 javë. Situata te Flamurtari rëndohet gjithmonë e më tepër.

Renditja e Superiores pas javës së 10-të. Gazeta Si, 28 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë