Futboll

Partizani largon Bruno Telushin, kapiteni pati përplasje me trajnerin Zekiç

Gazeta Si – Bruno Telushi nuk është më lojtar i Partizanit kampion në fuqi. Mesfushori vlonjat është larguar sot nga të kuqtë, me mirëkuptim sipas njoftimit të klubit kryeqytetas, por shkak është bërë një pëprlasje e tij me trajnerin Zoran Zekiç pas ndeshjes së Championsit me Baten.

“Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me Bruno Telushin. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre. Falenderojmë Bruno Telushin për kontributin e dhënë, ku për një pjesë të ndeshjeve mbajti edhe shiritin e kapitenit. Klubi i uron shumë suksese Telushit në vazhdim”, - shkruhet në njoftimin e Partizanit.

Bruno Telushi, kur shpallej kampion me Partizanin. Gazeta Si, 13 korrik 2023

Mesfushori me përvojë ishte në stol në ndeshjen e së martës në Champions, që u mbyll në barazim 1-1. Trajneri kroat preferoi afrikanin Sembene në vend të Telushit dhe ky i fundit nuk e priti mirë këtë lëvizje. Telushi reagoi dhe trajneri kërkoi që klubi të merrte masa.

Në këto kushte, drejtuesit e Partizanit kanë vendosur të mbyllin bashkëpunimin me lojtarin, duke i dhënë të drejtë trajnerit kroat që ka marrë drejtimin e ekipit pak kohë më parë. Bruno Telushi është shpallur dy herë kampion me Partizanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë