Futboll

Partizani kërkon me çdo kusht kalimin e turit, tri para ndeshjes në Letoni

Gazeta Si – Partizani ka mbërritur në Letoni tri ditë para ndeshjes me Valmeirën, që luhet të enjten në mbrëmje në ‘Skonto Stadium’ të Rigës. Kjo tregon qartë rëndësinë që klubi i kuq i ka kushtuar kësaj ndeshjeje, pasi synon që të shkojë me çdo kusht në ‘Play-off’, ku do të ndeshet me humbësin e çiftit Astana-Ludogorets.

Trajneri Zoran Zekiç ka kryer stërvitjen e parë në Letoni dhe sot do të japë udhëzimet e fundit për të tijtë. Ai do të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin e djathtë Andi Hadroj, i cili kishte probleme fizike. Për dëmtim do të mungojnë mbrojtësi Sembene dhe sulmuesi Mensah.

Trajneri Zekiç ne Letoni. Gazeta Si, 9 gusht 2023

Kundërshtari është disi i panjohur dhe ditët e fundit ka shitur dy lojtarë të rëndësishëm të formacionit, një favor ky për Partizanin. Gjithsesi, vlerësimi në kampin e kuq është në shkallën maksimale, sepse një rezultat pozitiv në transfertë ndihmon shumë për kualifikimin.

Partizani, ekipi kampion në fuqi i Shqipërisë, është i vetmi që vazhdon të luajë në kupat e Europës. Vllaznia dhe Egnatia u eliminuan që në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës. Tirana kaloi një tur, por u eliminua në të dytin nga Beshiktashi.

Të kuqtë u eliminuan në turin e parë të Championsit nga Bate Borisov, por më pas kaluan në Ligën e Konferencës dhe në turin e dytë kaluan Atletik Eskaldes të Andorrës. Tashmë synojnë eliminimin e Valmeirës dhe të shkojnë në ‘Play-off’, pse jo dhe në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.

Më 12 gusht Partizani do të luajë edhe një miqësore me ekipin e Romës, në stadiumin ‘Air Albania’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë