Futboll

Partizani i merr kreun Tiranës, të kuqtë argëtohen me gola ndaj Kastriotit

Gazeta Si – Partizani dhe Tirana kanë ndërruar sërish vendet në kreun e renditjes. Pas barazimit të skuadrës së Shehit në Ballsh një ditë më parë, të kuqtë nuk mund të gabonin sot ndaj Kastriotit të vendit të fundit.

Të besuarit e Kolelës kanë fituar 4-1 dhe kanë rimarrë kryesimin e Superiores me pikë të barabarta me rivalin e përjetshëm, 44. Partizani e zgjidhi ndeshjen që në pjesën e parë. Tedi Cara zhbllokoi shifrat, kurse pas tij shënuan Matondo dhe Selmani, me golin e Mihanës në mes për krutanët.

Skuadra e kuqe nuk shpenzoi energji në pjesën e dytë, thjesht kontrolloi lojën dhe rezultatin, që e thelloi edhe me golin e Kristian Mba në fund.

Me atë që ka treguar deri tani ky kampionat, ndoshta titulli do të vendoset në sekondën e fundit. Dy skuadrat kryesytetase kanë ndërruar vazhdimisht vendet në krye, të tjerët duken larg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë