Futboll

Partizani humb në Laç dhe komplikon titullin, ‘paqe’ mes Kukësit dhe Vllaznisë

Gazeta Si – Partizani është mundur 3-2 në Laç për javën e 29-të të Superiores, duke komplikuar edhe më tej çështjen e titullit. Kurbinasit i janë afruar ndjeshëm zonës europiane me këtë fitore, që është edhe një asist për Tiranën, për të thelluar diferencën, nëse mund Egnatian.

Të kuqtë shënuan të parët në Laç, falë një penalltie të ekzekutuar saktë nga braziliani Da Silva. Guindo barazoi në fund të pjesës së parë, më pas Shkurtaj kaloi Laçin në avantazh. Guindo shënoi golin e dytë personal dhe të tretin për Laçin 11 minuta para fundit. Mba shkurtoi diferencën në 3-2 3 minuta para se të mbyllej koha e rregullt.

Partizani iu anulua një gol i Sotës nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Skuadra e Kolelës mbetet në kuotën e 48 pikëve, 2 pikë pas Tiranës, që mund ta çojë në 5 pikë diferencën, po mundi sot Egnatian. Vlen të theksohet fakti se ndeshja mes Laçit dhe Partizanit u gjykua nga kryesori Juxhin Xhaja, i cili u kërcënua disa ditë më parë nga klubi krutan.

U luajt sot edhe ndeshja mes Kukësit dhe Vllaznisë, që përfundoi në barazim pa gola. Një rezultat që u prish punë të dyja skuadrave për objektivat që kanë. Kukësi, me 36 pikë, mbetet i rrezikuar nga rënia një kategori më poshtë, ndërsa Vllaznia është e katërta për momentin.

Kukësi e gjeti dy herë rrugën e rrjetës në fakt në këtë ndeshje, por në të dy rastet golat u anuluan për pozicion jashtë loje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë