Futboll

Partizani heroik, me 10 vetë ‘fik’ Erzenin dhe barazon Tiranën në krye

Gazeta Si – Partizani barazon përkohësisht Tiranën në krye të klasifikimit të Superiores, me 37 pikë. Të kuqtë mundën 3-0 Erzenin në një ndeshje të mbushur me episode dhe që e luajtën thuajse të gjithën me 10 lojtarë.

Që në minutën e 5-të Gueje e la Partizanin me 10 vetë, pasi u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje ‘killeri’ ndaj një lojtari të Erzenit. Një vendim që u mor pasi arbitri pa më qartë pamjet në VAR. Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe për kryeqytetasit, por duket se ky episod u dha forcë atyre.

Partizani ne nxemje. Gazeta Si, 18 shkurt 2023

Në fundin e pjesës së parë Rrapaj shënoi golin e avantazhit me një goditje dënimi. Në fillim të pjesës së dytë Da Silva dyfishoi shifrat dhe më pas ishte radha e Hotit që të shënonte edhe golin e tretë për Partizanin. Erzeni, surpriza e madhe e këtij sezoni, u fik në mënyrë të çuditshme, duke mos përfituar aspak nga superioriteti numerik.

Një rezultat surprizë arriti sot Bylisi, që fitoi 0-1 në fushën e Laçit. Goli i Ruçit u dha 3 pikë të çmuara ballshiotëve, që kanë fituar terren në tabelën e renditjes. Në ndeshjen tjetër të javës së 22-të, Teuta mundi 1-0 Kukësin me gol të Grudës.

Kjo javë mbyllet të dielën me sfidat Kastrioti-Tirana dhe Egnatia-Vllaznia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë