Futboll

Partizani fluturon drejt Hungarisë, fusha neutrale një bonus për kualifikimin

Gazeta Si – Partizani është nisur sot drejt Hungarisë, ku nesër luan ndeshjen e kthimit të turit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Bate Borisov. Kampionët e Shqipërisë, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e një jave më parë, ku loja ishte relativisht e mirë, janë plotësisht në garë për të shkuar në turin e dytë.

Një bonus për këtë objektiv mund të jetë fakti që ndeshja me Baten luhet në fushë neutrale, pasi skuadrat bjelloruese nuk mund të luajnë në fushën e tyre, sipas vendimit të UEFA-s. Është një shans që skuadra e drejtuar nga kroati Zekiç duhet ta shfrytëzojë në maksimum.

Nga ndeshja Partizani-Bate Borisov, 1-1. Gazeta Si, 17 korrik 2023

Partizani do të kreyjë sot në mbrëmje seancën e fundit stërvitore, duke u përshtatur me terrenin ku do luhet ndeshja e nesërme. Stafi teknik do të japë udhëzimet e fundit, ndërkohë që në dyshim është Eros Grezda për një problem fizik. Në ndeshjen e parë ai luajti disa minuta në fund, por pa lënë gjurmë.

Të kuqtë kërkojnë kalimin në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës, sepse kjo do të thotë më shumë të ardhura në arkën e klubit. Kundërshtari, me atë që tregoi në ‘Air Albania’, duket i kalueshëm. Partizani dominoi në ndeshjen e parë, krijoi më shumë raste, goditi edhe shtyllën. Në ndeshjen e nesërme në Hungari ka nevojë edhe për pak fat më shumë se në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë