Futboll

Partizani dhe Tirana rikthehen frikshëm, vetëm një hap larg kreut

Partizani dhe Tirana janë rikthyer frikshëm në javën e tetë të Superiores dhe duket e ajo ndërprerje e kampionatit u ka shërbyer skuadrave kryeqytetase për të sistemuar shumë gjëra. Një fitore me shumë vlera ajo 1-3 e Partizanit në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë. U duk se kjo ndeshje do të mbyllej në barazim, 1-1, por shkodrani i të kuqve, Erald Çinari, realizoi në shtesë golin e avantazhit dhe pas tij edhe Asani. Melo dhe Krymi kishin shënuar në pjesën e parë. Me këtë fitore Partizani ngjitet në vend të tretë, me 14 pikë, po aq sa ka edhe Tirana.

Partizani feston golin e Çinarit në Shkodër. Gazeta Si, 19 tetor 2019

Skuadra e trajnerit Ardian Mema ka mundur 2-1 Laçin në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku trajneri i ri i kurbinasve, Armando Cungu, ka debutuar me humbje. Dunga dhe Kale realizuan për bardheblutë golat e një fitoreje me shumë vlera. Tirana, ashtu si dhe Partizani, janë vetëm një hap larg Teutës kryesuese pas kësaj jave. Sfida e Korçës mes Skënderbeut dhe Kukësit nuk prodhoi gola dhe dy skuadrat ndanë nga një pikë.

Luftëtari-Bylis ishte ndeshja e parë që u zhvillua sot, pasi në Gjirokastër nuk luhet me drita. Ballshiotët nuk janë thyer edhe këtë radhë, por kanë marrë një pikë të rëndësishme në fushën e Luftëtarit. Për t’u theksuar është fakti se portieri i Bylisit, Isli Hidi, vazhdon të bëjë goleadorin e ekipit, teksa ka shënuar golin e tretë në kampionat, të gjithë me penallti. Të premten Teuta mundi Flamurtarin në Elbasan 1-0.

Renditja e Superiores pa javës së tetë. Gazeta Si, 19 tetor 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë