Gazeta Si - Apeli i GjKKO-së ka shtyrë seancën ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të cilët kërkojnë shuarje të masës së sigurisë, lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani".
Pas dëgjimit të palëve, Apeli ka vendosur që seanca e radhës do të zhvillohet ditën e martë, nesër, 21 nëntor 2023, në orën 11:00.
Përmes një njoftimi, Apeli bën me dije se pasi ka dëgjuar palët, ka vendosur shtyrjen e shpalljes së vendimit.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, para mediave, sqaroi: "Ne kemi që në orën 9, në mënyrë shteruese kemi paraqitur gjithë argumentet që masat nuk qëndrojnë dhe çështja është një farsë… gjykata ishte në pamundësi për të dhënë vendimin pasi materiali është voluminoz dhe seanca u shty për nesër në orën 11:00”, tha ai.
Pyetjes se pse ish-kryeministri Berisha nuk është paraqitur para oficerëve të policisë gjyqësore, Gjokutaj i është përgjigjur se vendimi për masën ndaj tij është antikushtetues.
“Berisha nuk paraqitet karshi një vendimi antikushtetues. Ai është një vendim nominal i Berishës i informuar nga ne nga anti-kushtetutshmëria”, tha Gjokutaj.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 20.11.2023, ora 09:00, lidhur me çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, pasi dëgjoi palët, i dha fund shqyrtimit gjyqësor po në datë 20.11.2023, ora 16:00, dhe urdhëroi shtyrjen e shpalljes së vendimit në datë 21.11.2023, ora 11:00”, thuhet në njoftimin për shtyp nga GJKKO.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë ankimuar vendimin e GJKKO-së që la në fuqi masat e sigurisë ndaj tyre për çështjen "Partizani".
Ndaj ish-kryeministrit është dhënë masa detyrim paraqitje dhe i është bllokuar pasaporta. Ndërsa Jamarbër Malltezi ndodhet në qeli nën masën “arrest me burg”.
GJKKO është përpjekur ta gjejë Berishën edhe në Kuvend, pasi dështoi të marrë firmën e tij në seli e shtëpi, për ta vënë në dijeni për masat e sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.