Politike

Partia Demokratike kallëzon në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri për shkelje të ligjit

Partia Demokratike ka kallëzuar sot në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri për shpërdorim detyre. Sipas PD-së, gjyqtari Zhukri ka shkelur vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD-së për ndryshimet statutore.

“Më 23 mars ai caktoi seancën në mënyrë të pashpjegueshme, megjithëse vendimi i gjyqtares tjetër për regjistrimin e ndryshimeve statutore nuk është zbardhur dhe nuk na është komunikuar”, - thuhet në kallëzimin e bërë nga Partia Demokratike, që ka vënë në dijeni SPAK-un se e ka ankimuar vendimin, duke qenë se gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e saj.

Kallezimi i PD ne SPAK per gjyqtarin Zhukri. Gazeta Si, 25 mars 2022

PD kërkon nga SPAK-u të administrojë kamerat e gjykatës, ku shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e atij që njihet si Komisioni i Rithemelimit. Në kallëzimin e PD-së sqarohet se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse gjykata ka administruar kërkesat e PD-së, përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike.

“Mosthirrja e PD-së si palë e trete, me interesa të ligjshme në proces, cënon rëndë detyrimet ligjore dhe është bërë me qëllimin për të marrë një vendim në fshehtësi dhe për të favorizuar një palë, që ai vetë ka pranuar se ka lidhje”, - thuhet po ashtu në kallëzimin e PD. Në kallëzim theksohet se gjyqtari Zhukri ka shkelur rëndë ligjin, duke marrë një vendim pa pasur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 korrikut.

Gjyqtari Zhukri, pa vendimin e zbardhur, e ka patur të pamundur të shohë përputhshmërinë e akteve të 11 dhjetorit me statutin e 17 korrikut, ku bazohet edhe kërkesa e palës tjetër për 11 dhjetorin. PD sqaron SPAK-un për paligjshmërine e mbledhjes së 11 dhjetorit, duke shpjeguar detyrimet statutore që duhet të ndiqeshin. SPAK-ut i kërkohet të bëjë veprime të shpejta hetimore, duke administruar kamerat dhe duke sekuestruar dosjen gjyqësore, në mënyrë që gjyqtari të mos manipulojë provat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë