Politike

Parlamenti britanik merr në dorë “Brexit”, Johnson vendos rekord

Boris Johnson rrezikon të shndërrohet në Kryeministrin më jetëshkurtër në historinë e Britanisë së Madhe, pas ndërhyrjes së Parlamentit britanik që minoi planin e tij për të realizuar një ndarje të ashpër dhe pa marrëveshje me Bashkimin Europian.

Deputetët votuan me 328 vota pro dhe 301 kundër për marrjen e vendimit që i heq Boris Johnsonit të drejtën për të përcaktuar agjendën e punimeve të Parlamentare. 21 deputetë konservatorë të Johnson bashkuan votat me opozitën e laburistëve. Vendimi ishte një kundërpërgjigje e kërkesës së Johnson për të pezulluar për një afat 5-javor punimet parlamentare, kohë e mjaftueshme për të që të realizonte planin e tij për shkëputjen nga BE pa kokëçarjen e deputetëve.

Përveç kësaj, Parlamenti britanik po shqyrton mundësinë e miratimit të një ligji që do të ndalonte shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje dhe zgjatjen e këtij procesi përtej 31 tetorit. Goditja e dyfishtë e detyroi Boris Johnson që të shqyrtojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare.

Në fjalën e mbajtur pasi pësoi disfatën e parë në Parlament, aty ku u rrëzuan njëra pas tjetrës edhe përpjekjet e paraardhëses së tij Theresa May, Johnson paralajmëroi përjashtimin e konservatorëve rebelë nga partia. Mes tyre është edhe Ken Clarke, një veteran prej thuajse pesë dekadash në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Nuk po arrij që ta njoh më partinë time. Më duket se kemi marrë ngjyrat e Partisë Brexit”, tha ai.

Përveç kërcënimit për përjashtim të deputetëve të partisë së tij që nuk i dhanë mbështetjen për Brexit pa marrëveshje, Johnson paralajmëroi edhe me zgjedhje të parakohëshme para datës 31 tetor, kur është vendosur shkëputja përfundimtare e Britanisë së Madhe nga Bashkimit Europian.

“Nuk dua zgjedhje të reja, por nëse deputetët votojnë nesër për një tejzgjatje tjetër të pakuptimtë të Brexit, që mund të kërkojë edhe disa vite, atëherë kjo do të ishte e vetmja rrugëzgjidhje”, deklaronte ai një ditë para se Dhoma e Përfaqësuesve t’i vihej përballë.

Por, laburistët e Jeremy Corbyn e cilësuan idenë për të zhvilluar zgjedhje para 31 tetorit si një kurth të Boris Johnson, që nuk do ta pranonin. “Ne nuk kemi frikë që të shkojmë në zgjedhje, por nuk mund të rrezikojmë që të mos kemi parlament funksional para 31 tetorit”, është qëndrimi zyrtar i kësaj partie.

Laburistët i tremben faktit se Johnson mund të kërkojë zgjedhje pak ditë para 31 tetorit, çka do t’i lidhte duart parlamentit për të ndërhyrë dhe shmangu një shkëputje pa marrëveshje. Në vend të zgjedhjeve të parakohëshme, laburistët kërkojnë fillimisht mbajtjen e një referendumit të dytë sa i takon Brexit.

Boris Johnson është i pari Kryeministër britanik që nga vitit 1784, i cili humbet votimin e parë si Kryeministër në Dhomën e Përfaqësuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë