Lajme

Parkut Fotovoltaik i Karavastasë, nënshkruhet marrëveshja

Është nënshkruar sot (të premten) marrëveshja zbatuese mes Belinda Ballukut si Ministre e Energjetikës nga pala e Qeverisë Shqiptare dhe Sebastien Clerc, CEO-s së kompanisë francezë “Voltalia”.

Marrëveshja i hap rrugë kantierit të ndërtimit të parkut të energjisë diellore, ku kompania franceze do të investojë 100 milionë Euro, duke nisur nga muaji shtator.

“Kemi ngritur një proces model që do të ndiqet në projektet e tjera të zhvillimit ekonomik. Kemi ecur krahë për krah me BERZH pavarësisht situatës së vështirë që po kalon gjithë globi. Kemi kaluar një proces ku një përfaqësues i universitetit të Harvrdit më tha se do ta merrnin si rast studimor për kompleksitetin e procesit në një vit kaq të vështirë ekonomik si ky dhe  arrin një sukses mes një qeverie të Ballkanit dhe një biznesi shumë të rëndësishëm  të një vendi që udhëheq Europën” – u shpreh Ministrja Balluku gjatë fjalës së saj ku shpjegoi dhe theksoi  rëndësinë e procesit, që është kaq me vlerë në mënyrë gjithpërfshirëse, sa “na u desh të punonim edhe në këtë ditë të shenjtë të Bajramit”.

Balluku e konsideroi marrëveshjen si një Business Card të Shqipërisë për në Francë.

Kryeministri Rama në të njëjtën linjë tregoi se kjo marrëveshje dhe ky investim strategjik nga një prej vendeve më të rëndësishme europiane siç është Franca, përpos rëndësisë ekonomike, do të ndryshojë imazhin që kanë ata francezë që e njohin Shqipërinë.

“Jo vetëm do të diversifikojmë energjinë duke përdorur diellin, por do të hedhim më shumë dritë për S|hqipërinë në Francë ku njihet pak dhe jo saktë. Ku njerëzit ia kanë dëgjuar emrin jo për arsyet që ne do të donim. Shqipëria është vend i mrekullueshëm, dhe ka  një pasuri të jashtëzakonshme në ujë dhe në diell dhe pikërisht mbi këtë pasuri të jashtëzakonshme po ngrihet një sektor energjetik gjithnjë e më i fort, që jo vetëm është i bazuar tek energjitë e rinovueshme në pjesën më të madhe, por shton me këtë investim edhe energjinë diellore që sapo po nisim ta shfrytëzojmë.”- tha Rama i cili qëndroi tek një sukses tjetër i këtij procesi, ai i çmimit, ku ankandi u finalizua me ofertën e Voltalia prej 24,89 euro për mega vat krahasuar me 55 euro tavani në këtë  ankand dhe 50,36 euro në bursën hungareze.

“Çmim që përbën rekord krejt të papritur për ne dhe të tjerë që e kanë parë me vëmendje këtë ankand. Francezët janë bujarë, por nuk njihen si bamirës që nuk i bëjnë mirë llogaritë. Llogaria është bërë mirë, por që as kinezët nuk do ta kishin thyer dot, përbën një arsye shumë të fortë që na bënë të  besojmë se do të kemi sukses dhe Voltalia do të ketë sukses duke na kërkuar të zgjrohet më shumë në këtë vend ku dielli ka beben e syrit. Zona me orët më të gjata të diellit në vit në Shqipëri e rajon”- tha kryeministri i cili gjatë fjalës së tij falenderoi stafin e Ministrisë së Energjetikës, ambasadoren franceze dhe Presidentin e Dhomës Franceze të Tregtisë në Tiranë Julien Roche.

Vetë CEO i Voltalias Sebastien Clerc e konsideroi Parkun Fotovoltaik të Karavastasë si projektin më të madhe energjetik në rajonin e Ballkanit Perëndimor  dhe më gjerë, Itali e gjetkë.

“Është një projekt i rëndësishëm. Jam i sigurt jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Voltalia që tanimë është në Shqipëri për afat të gjatë. Mezi pres të nisim zbatimin dhe të rikthehem në Shqipëri ta shijoj vendin dhe të gjitha karakteristikat e saj. Kemi mësuar gjatë kësaj kohe që mund të kryejmë biznes sipas standardeve tona në Shqipëri ku tanimë nuk jemi vetëm ofrues shërbimi, por investitor. Për ne ka rëndësi klima e biznesit dhe e di që ne do të gjejmë në Shqiëpëri konkurentë pozitiv afatgjatë”- tha Clerc.

Parku i prodhimit të energjisë fotovoltaike në Karavasta prej 140 mega/vat do të ndërtohet tërësisht nga kompania franceze Voltalia. Ajo rezultoi fituese e ankandit për të cilin u interesuan 30 kompani. Por në finalen mes  5 kompanive finalist Voltalia me 100 % kapital francez ofroi çmimin  më të mirë të prodhimit të energjisë prej 24,89 për mega vat. Ky është çmimi më i ulët që ka mundur të sigurojë ndonjëherë Shqipëria dhe madje shumë konkurrues në tregun ndërkombëtar.

Kontrata do të jetë për 15 vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë