Para

Parku i Porto Romanos, Qeveria i paguan 1.5 mln euro kompanisë private ende pa nisur puna

Punimet për shndërrimin në një park të ish-venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano të Durrësit janë ende në fazë fillestare, por Qeveria ka nisur derdhjen e parave për llogari të kompanisë private që do të kryejë këto punime.

Në muajin gusht, Qeveria ka derdhur përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Kanalizimeve dhe Ujësjellësit rreth 1.5 mln euro në llogaritë e kompanisë “De Mare Albania”, që është degë e kompanisë mëmë italiane me të njëjtin emër.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Open Data Albania”, më 3 gusht nga Dega e Thesarit janë transferuar në llogaritë e kompanisë rreth 68 milionë lek dhe më 25 gusht rreth 114 mln lek të tjera, duke e çuar shumën në total rreth 182 mln lek.

Pagesat janë bërë si shpenzime për “rritjen e aktivëve të qëndrueshme të trupëzuara”, ose për blerje mjetesh dhe pajisjesh të tjera teknike të kompanisë private “De Mare Albania”, e regjistruar në Shqipëri si degë e kompanisë mëmë italiane më 18 tetor 2019, pak muaj para se të merrej vendimi përfundimtar i mbylljes së Porto Romanos si venddepozitim i mbetjeve për Durrësin.

Qeveria po paguan kompaninë private pas shpalljes së gjendjes se emergjencës mjedisore nga Këshilli Bashkiak i Durrësit, që i hapi rrugë ndërhyrjes së Qeverisë. E gjithë situata e mbetjeve në Durrës precipitoi pas vendimit të 13 janari 2020 të Qeverisë që mbylli venddepozitimin e mbetjeve të Porto Romanos pa caktuar më parë një vend të ri.

13 janari ishte faza finale e një plani me zanafillë të paktën prej korrikut të 2018-ës. Këshilli Bashkiak i Durrësit i asaj kohe i kërkoi Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve shpalljen e gjendjes së emergjencës mjedisore. Në të njëjtin vendim, që mban numrin 533, datë 10 korrik 2018, Këshilli kërkon gjetjen e alternativave për depozitimin e mbetjeve dhe autorizon kryetarin e Bashkisë, në atë kohë Vangjush Dako, që të negocionte drejtpërdrejtë me koncesionarin e Tiranës për depozitimin e mbetjeve të Durrësit në Sharrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë