Ngjarje

Pse i lanë rrugëve plehrat e Durrësit

Qeveria vendosi mbylljen e venddepozitimit të plehrave të Bashkisë së Durrësit në Porto Romano pa e menduar se ku do të depozitoheshin ato pas këtij vendimi, që u mor më 13 janar të këtij viti.

Megjithatë, 13 janari ishte faza finale e një plani me zanafillë të paktën prej korrikut të 2018-ës. Këshilli Bashkiak i Durrësit i asaj kohe i kërkoi Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve shpalljen e gjendjes së emergjencës mjedisore. Në të njëjtin vendim, që mban numrin 533, datë 10 korrik 2018, Këshilli kërkon gjetjen e alternativave për depozitimin e mbetjeve dhe autorizon kryetarin e Bashkisë, në atë kohë Vangjush Dako, që të negocionte drejtpërdrejtë me koncesionarin e Tiranës për depozitimin e mbetjeve të Durrësit në Sharrë.

Vendimi i 2018-ës i Këshillit Bashkiak të Durrësit që autorizon Vangjush Dakon të negociojë me kompaninë private "Integrated Energy BV. SPV", që ka marrë koncesionin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Gazeta Si, qershor 2020

Dako autorizohej që të negocionte me kompaninë “Integrated Energy BV. SPV”, që zotërohet 100 për qind nga “Integrated Energy B.V.”, e regjistruar në Holandë dhe që në 2017-ën, pra një vit më parë kishte fituar koncesionin e ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese në Sharrë me një ofertë prej 128 milionë eurosh. Afati i koncesionit është 30 vjet.

Është e paqartë se në çfarë faze i çoi këto negociata Vangjush Dako deri në momentin që u largua, por e sigurtë është që transporti i mbetjeve të Durrësit në inceneratorin e Tiranës rrit me disa herë kostot për Bashkinë e qytetit bregdetar. Paqartësia shoqëroi edhe vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, që mbylli Porto Romanon më 13 janar 2020. Bashkia e Durrësit është njoftuar më 14 janar 2020 për këtë vendim, por pa patur më parë një plan, apo zonë se ku do të depozitoheshin në vazhdim plehrat e qytetit.

Burime të gazetës “Si” konfirmojnë se në ato ditë, kur bashkia përpiqej që të përballonte ende krizën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, askush nuk e dinte se ku do të depozitoheshin mbetjet urbane. Nga Bashkia thanë se për venddepozitimet e reja të përkohshme deri në përmbylljen e një marrëveshjeje me Sharrën do të vendosej nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe e Mbetjeve të Ngurta, ndërsa kjo e fundit deklaronte se vendimi i takonte bashkisë.

Vendimi u mor nga Bashkia pak ditë më vonë, që zgjodhi një zonë në Sukth dhe një tjetër në Manzë si venddepozitime të përkohshme, ndërsa përpjekjet për marrëveshje për dërgimin e tyre në Tiranë vazhdonin. Por, protesta e banorëve vendas dhe denoncimet e vazhdueshme të tyre kundër mbetjeve e detyruan Bashkinë e Durrësit që të tërhiqej nga depozitimi dhe djegia së tyre në këto zona. “Bomba ekologjike” nga Manza e Sukthi u aktivizua në koshat e tejmbushur brenda qytetit.

Situata është bërë alarmante dhe qytetarët kërkojnë gjetjen e një zgjidhjeje. Kryeministri Edi Rama e premtoi shumë shpejt dhe tha se Qeveria ka shtuar presionin ndaj Bashkisë së Durrësit.

“Këto ditë që flasim po bëhet një proces finalizimi e negocimi me Bashkinë e Durrësit dhe entet përkatëse shtetërore në këtë fushë dhe brenda javës do të kemi një marrëveshje përfundimtare për të lëvizur mbetjet drejt landfillit të Sharrës në Tiranë. Na u desh që të rrisnim presionin mbi Bashkinë e Durrësit për këtë marrëveshje të rëndësishme”, deklaroi Rama gjatë një interviste në emisionin “Open” në Top Channel.

Kryeministri foli për ngurrim nga ana e Bashkisë së Durrësit, për shkak të kostos së transportit. Transporti nuk është e vetmja kosto. Barra më e rëndë financiare është shifra prej 30 eurosh për ton që kjo bashki duhet të paguajë për çdo kamion që do të merret përsipër të përpunohet nga koncesionari i Sharrës.

Presioni i Qeverisë dhe ai i qytetarëve, që ngrenë shqetësimin se me rritjen e temperaturave situata bëhet akoma më e rëndë dhe burimi i infeksioneve shumëfishohet e ka mbledhur sërish Këshillin Bashkiak të Durrësit, që mesditën e kësaj të enjteje ka propozuar sërish shpalljen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve për shkak të mbylljes së venddepozitimit në Porto Romano…dhe emergjenca e vendos në një gjendje të vështirë Bashkinë e Durrësit në bisedimet me koncesionarin, që mund të çojë edhe në pranimin e kushteve të vendosura prej tij. Pra, “sherri” do të mbyllej, por me çfarë kostoje?

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë