Futboll

Paratë nuk janë gjithçka! Çelsi merr një leksion gjerman në Champions

Gazeta Si – Zhgënjimi i madh spostohet nga Premier Liga në Champions. Çelsi ka dështuar në ndeshjen e parë të 1/8-ve, ku është mundur 1-0 nga Borusia Dortmund. Një leksion i gjermanëve për klubin londinez, që ka blerë pa fund ne merkato, por nuk po arrin rezultate pozitive. Në futboll paratë nuk janë gjithçka.

Adejemi realizoi një gol spektakolar, që i dha fitoren Borusias. Në fundin e ndeshjes nuk mungoi tensioni, pasi pati një përplasje mes lojtarëve të dy skuadrave në fushë.

Në pjesën e parë protagonist ishte portugezi Zhoao Feliks, i cili humbi dy raste të mira për Çelsin. Në të parin goditi mbi tra, kurse në të dytin topi u stampua në traversën e portës së Borusias. Tiago Silvës iu anulua një gol, pasi e kishte prekur topin me dorë.

Në minutën e 63-të Adejemi ngriti peshë stadiumin me golin e avantazhit. Sulmuesi u nis nga gjysmëfusha e tij, ‘dogji’ në duel shpejtësie Enco Fernandezin dhe më pas dribloi edhe portierin kundërshtar, për të depozituar topin në rrjetë.

Trajneri Poter ndërhyri nga stoli, duke hedhur në fushë Maunt dhe Kukurelën, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat.

Ndeshja mes Bryzhit dhe Benfikës u zhbllokua me një penallti, të kthyer në gol nga Zhoao Mario pak pas fillimit të pjesës së dytë. Në pjesën e parë belgëve iu anulua një gol i Odoi për pozicion jashtë loje. Dy minuta para fundit, Neres shënoi edhe golin e dytë për miqtë. Një fitore e rëndësishme jashtë fushe për portugezët, të cilët hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë