Ekonomi

Parashikimet e ndërkombëtarëve: Ndër vendet e Ballkanit të Hapur, vetëm Serbia mund të kapë rritje ekonomike afër 6% në 2022

Rritja ekonomike e vendeve të “Open Balkan”, për vitin e ardhshëm nuk do të jetë e njëjtë. Sipas raporteve europiane, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, e përjetuan ndryshe goditjen e pandemisë dhe hapave rikuperuese, duke ndikuar dhe në projeksionet ekonomike të së ardhmes.

Deri në fund të vitit të këtij viti,  rritja ekonomike e Serbisë pritet të jetë 3.8-6.7% sipas KE-së dhe BB-së. Mbështetur kjo në reagimin e ekonomisë serbe gjatë situatës me pandeminë, si i vetmi vend ballkanik që e përballoi me elasticitet krizën. Rritja në mbyllje të këtij viti, në Serbi do të ndikohet nga rikuperimi i sektorëve kryesorë të ekonomisë, konsumit, industrisë dhe sidomos kërkesës së jashtme. Banka Botërore parashikon një rritje të shtyrë nga tregtia dhe investimet.

Shqipëria, sipas Komisionit Europian dhe Bankës Botërore do ta lërë vitin 2021 me një rritje ekonomike prej 6.9-7.1% ndikuar më së shumti nga turizmi. Ndonëse 2020-a lëkundi stabilitetin financiar të Shqipërisë, në nisje të këtij viti, pati përmirësime në tregti, shërbime, ndërtim dhe turizëm.

Parashikimet për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut për këtë vit janë nga 4.1-7% sipas KE-së dhe BB-së. Rritje që do t’i atribuohet shpenzimeve të larta të familjeve dhe e kërkesës në tërësi.

Për vitin e ardhshëm, rritja më e madhe ekonomike ndër të treja vendet është parashikuar në Serbi me 4.3% nga tregu i punës në rritje, tregtia dhe konsumi. Rritja në vitin 2023 pritet të jetë po ashtu 4.3%.

Maqedonia e Veriut, sipas KE-së, ndonëse nuk ka dhënë shpresë rikuperimi, do të ketë një rritje prej 3.9% në vitin 2022 dhe 3.3% në 2023-shin. Me shumë pasiguri për të ardhmen, BB raportoi se Maqedonia ka ende një ekonomi delikate, sidomos në tregun e punës.

Ekonomia e Shqipërisë sipas Komisionit Europian do të rritet me 3.7% në vitin 2022 dhe 3.6% në 2023.   Projektimi për rritjen në 2022, KE e lidh me pritjet për një rikuperim të plotë te sektorit turistik dhe nivelit prodhues. BB e mbështet rimëkëmbjen e financave të Shqipërisë në turizëm, konsum dhe ndërtim.

Për këto 3 vende, sipas Bankës, duhet një transformim i tregut të punës dhe një orientim drejt ekonomisë së gjelbërt, njësoj si vendet e tjera europiane.

Ndërsa Komisioni Europian përmend rëndësinë e reformave në administratë dhe ligj si faktor për të tërhequr investimet e huaja dhe sigurimin e një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Nisma Open Balkan, është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, kundërshtuar nga Kosova, të dyja herët. Qëllimi i kësaj nisme, është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë