Politike

Rama në interpelancë mbron Ballkanin e Hapur: Rrit PBB me 6.7 për qind

Kryeministri Edi Rama u thirr në një interpelancë për “Ballkanin e Hapur” nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, që akuzon se me këtë nismë po izolon Kosovën dhe dëmton interesat ekonomike e strategjike kombëtare të shqiptarëve në rajon.

Shehu tha gjithashtu se “Ballkani i Hapur” është një rrugë që e fut integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në spiralen e Beogradit.

"Po e fusni integrimin në spiralen e Serbisë. Serbia ka një këmbë e gjysmë në Moskë, gjysmën tjetër pending. Një nga esencat e këtij projekti është pengimi i procesit të integrimit. Ky është zinxhirë për të tërhequr vendet tona drejt lindjes”, tha ai.

Deputeti demokrat deklaroi se Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet që ka ndaj Kosovës, ndërsa shqiptarëve po u serviret nisma si një partneritet strategjik me Serbinë. Ai u shpreh se Ballkani i Hapur nuk ka asnjë lidhje, me Procesin e Berlinit.

Kryeministri u përgjigj se nisma është e njëjta gjë me Procesin e Berlinit, me ndryshimin se synon që ta shpejtojë këtë proces drejt krijimit të tregut të përbashkët rajonal ku zbatohen 4 liritë themelore të Bashkimit Europian.

Rama u shpreh se me këtë nismë, Shqipëria mund të këtë një rritje të prodhimit të brendshëm deri në 6.7 për qind në vit. Ai ironizoi me akuzën se nisma është krijimi i “Jugosllavisë së re”.

“Ky është një krahasim absurd një lojë fjalësh për të çuan nismën që për mua është interes kombëtar, interes publik. Se si mund të jetë një vizion rus apo kinez i procesit të Berlinit unë nuk e di. Unë di që Ballkani i Hapur është brenda procesit të Berlinit. Kosova humbet duke munguar në atë tryezë. Historia tregon se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike”, u përgjigj Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë