Rusia është e gatshme t’i ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me Bashkimin Europian, nëse blloku i vendos sanksione të reja. Paralajmërimi i fortë, i cili do t’i kthente marrdhëniet në epokën e Luftës së Ftohtë, erdhi pas ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas paralajmërimi të sanksioneve të reja nga Brukseli për shkak të trajtimit të liderit të opozitës, Alexei Navalny, i cili është burgosur nga Kremilini.
“Ne nuk duam ta izolojmë veten nga çështjet botërore, por duhet të përgatitemi për këtë”, tha Lavrov duke folur në kanalin rus në YouTube, Solovyov Live. “Nëse nuk doni paqe, përgatituni për luftë”, tha ai.
Javën e kaluar, Rusia dhe BE-ja kanë dëbuar diplomatë të njëra-tjetrës për shkak të protestave të organizuara në mbështetje të Navalnit i cili është arrestuar muajin e kaluar, pasi ka arritur në Moskë nga Gjermania.
Autoritetet ruse e kanë arrestuar në bazë të disa akuzave të mëhershme për përvetësim fondesh, por sipas Navalnyt, ato janë të motivuara politikisht. Javën e kaluar, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ka thënë se vendet anëtare do të vendosin për hapat e rinj kundër Rusisë, të cilat mund të përfshijnë edhe sanksione.
Ai tha se vizita e tij në Moskë, javën e kaluar, ka treguar se Rusia po shkon drejt një “rruge shqetësuese” dhe “autoritare”, që mbyll demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Duke raportuar para Parlamentit Europian për udhëtimin e tij në Moskë, Borrell tha se Kremlini nuk e ka ndërmend të zhvillojë marrëdhënie konstruktive, nëse të drejtat e njeriut janë pjesë e diskutimeve.
“Ata janë të pamëshirshëm”, tha Borrell pasi vizitoi Moskën nga data 4 deri më 6 shkurt. “Struktura aktuale e pushtetit në Rusi, e kombinuar me interesat ekonomike, kontrollin ushtarak dhe politik, nuk lë asnjë hapësirë për sundimin demokratik të ligjit”, shtoi Borrell.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe BE-së, në fakt, kanë qenë të acaruara pasi Rusia ka aneksuar gadishullin e Krimesë, në vitin 2014, dhe vazhdon të mbështesë separatistët që luftojnë forcat qeveritare në lindje të Ukrainës. Më pas, helmimi i politikanit rus të opozitës, Aleksei Navalny, me një agjent nervor, dhe arrestimi i tij pas kthimit nga Gjermania, i ka vënë marrëdhëniet midis Rusisë dhe BE-së në udhëkryq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.