Lajme

Rama fletërrufe për kryebashkiakët

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes në sallën e hartave në Kryeministri. Në fjalën e tij, Rama u ndal tek puna e dobët e kryetarëve të bashkive, që sipas Ramës janë duke sabotuar procesin e bashkëqeverisjes. Rama shtoi se janë burra ata që zakonisht nuk përgjigjen. Shefi i qeverisë paralajmëroi se emrat e tyre do të bëhen publikë.

"Bashkitë nuk përgjigjen shpesh në kohë, është për të ardhur keq, pasi janë për nga natyra dhe përveçse me ligj, duhet të jenë pranë njerëzve, pranë komuniteteve. E vetmja zonë konflikti që kemi ne me qytetarët është pushteti vendor. Hasim shpesh në shurdhëri dhe indiferencë, nuk kam dashur që të publikoj rastet dhe emrat e bashkive dhe  kryebashkiakëve, po do jem i detyruar që ta bëj. Zotërinjtë kryebashkiakë, jo zonjat, janë zotërinj zakonisht ata që nuk përgjigjen, se zonjat kanë dhe ambicie të rizgjidhen, duhet ta llogarisin që sot se do përballen publikisht. Është e vetmja gjë që na ka mbetur pasi koordinatorët që merren me Bashkitë janë kthyer në lutësa, më shumë sesa besimtarët që shkojnë në kisha dhe xhami. Kjo duhet të mbarojë së paku nga ne, po rrënojnë dhe reputacionin e platformës. Këtë nuk mund ta lejojmë"-tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë