Motosport

Parakalim në xhiron e parafundit, Vershtapen “djeg” Hemiltonin në Francë

Një sfidë shumë e bukur mes holandezit të Red Bull-it dhe anglezit të Mercedesit ka shoqëruar Çmimin e Madh të Francës, me kampionin e botës, Ljuis Hemilton, që është dorëzuar në fundin e garës. Vendi i tretë për Perez dhe i katërti për Botas. Ferrari zhgënjen totalisht.

Maks Vershtapen ka fituar garën e shtatë të Botërorit të Formulës 1. Piloti holandez ka dalë para makinave Mercedes të Ljuis Hemiltonit dhe Valteri Botas dhe tani ka 12 pikë avantazh ndaj anglezit në kampionat. Nga Le Castellet një tjetër verditk interesant i këtij Botërori gjithmonë e më inkandeshent, falë sfidës Vershtapen-Hemilton.

Hemilton edhe sot luftoi si një luan, por nuk ia doli kundër holandezit. Parakalimi vendimtar u bë dy xhiro para fundit. Hemilton mbajti gomat e forta deri në fund, kurse Red Bull-i, me një strategji me dy ndalesa, e administroi shumë mirë garën. Ndoshta rrezikoi pak, por me Vershtapenin në timon llogaritë janë më të lehta. Në garën e Francës është parë që mes Red Bull-it dhe Mercedesit nuk ka një makinë që të dominojë dhe sfida pritet të jetë elektrizuese deri në fund.

Mjaft emocionues ishte starti, me Vershtapenin që gaboi në kthesën e parë dhe Hemilton përfitoi për të marrë komandën. Botas dhe Perez mbajtën pozicionet e tyre, po ashtu edhe Sainz dhe Gasli. Hemilton, Vershtapen dhe Botas u shkëputën nga grupi. Botas ishte i pari që u fut në bokse, i ndjekur nga Vershtapen. Lëvizje e zgjuar e Red Bull, që njëkohësisht mbajti pozicionin ndaj finlandezit dhe pastaj fitoi edhe ndaj Hemiltonit, që ndaloi në xhiron pasardhëse dhe e pa veten pas holandezit.

Hemilton u përpoq ta mbante në presion Vershtapenin, i cili u mbrojt mirë. Pastaj, 20 xhiro nga fundi, holandezi fitoi 2 sekonda ndaj anglezit, ndaloi për herë të dytë dhe vendosi gomat e buta. Tjetër lëvizje e goditur. Vershtapen, me goma të reja, rikuperoi xhiro pas xhiroje, u tregua i zoti për të ruajtur përqendrimin, pasi Hemilton, në atë pikë pa alternativa, luajti gjithçka. Por Vershtapen e kaloi në xhiron e parafundit, sipas llogarive të Red Bull-it. Kampionati është më i hapur se kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë