Para

Paraja informale po zhvlerëson euron në vend, eurobondi do ta ulë më tepër

Kursi i këmbimit të euros në lek nuk po mundet të marrë veten as në mbyllje të muajit tetor, sezon që sipas historikut të kursit, monedha europiane ka pasur një vlerësim pozitiv dhe në rritje kundrejt lekut. Pas një periudhe më shumë se 3 mujore, 1 euro këmbehej rreth 121.1/2 lek dhe të hënën e 26 tetorit u rrit në 122 lek.

Eksperti dhe pedagogu i ekonomisë, Igli Tola thotë për Gazetasi.al se kjo po ndodh përshkak të faktorëve sistemikë dhe jo sezonalë.

“Në perceptimin tim, faktori kyç që e mban euron në nivelin më të ulët historik është sasia e lartë e parasë informale në treg që është në euro. Euro e ardhur nga aktivitetet kriminal është në sasi më të madhe se sa paraja formale në qarkullim. Vendi jonë operon në kurse flotale dhe jo të qëndrueshme, prandaj kursi përcaktohet nga ‘rregullat e lojës’. Momentalisht po nxirren shumë euro nga buxheti i shtetit për të blerë energji bashkë me proceset postpandemike të cilat janë kryer po në euro.“

Eksperti tregon se sasia e parasë informale në vend kalon me disa fish sasinë e PBB-së kombëtare, ndikuar kjo dhe nga fakti që shumica e bizneseve të mëdha në vendin tonë operojnë në treg me euron. 

Lidhur me nxjerrjen në treg të Eurobondit, Tola thotë se do të rrisë më tepër presionin rënës të euros, por do të jetë e përkohshme dhe lehtësisht e amortizueshme nga tregu dhe se nuk do të emetohet në të njëjtën kohë në ekonomi, por me këste.

“Mendoj se Eurobondi nuk do të merret aq sa është kërkuar, mund të merret deri në 300-350 mln euro sipas studimit të kërkesë-ofertës. Është gjë e mirë të mos bllokohet kapitali vendas për emergjenca, por rifinancimi i borxhit nuk mund të shpenzohet për paga apo energji elektrike sepse nuk kthehet në fitim.”

Ai shton se me emetimin e Eurobondit, duhet të bëhet kujdes me normat e interesave sepse sa më I lartë rrisku aq më të larta interest, sidomos në një ekonomi tranzit si e Shqipërisë.

“Mungojnë detajet mbi përdorimin e fondeve dhe normalisht do të ketë problem në transparencë”, shton eksperti.

“Për të stabilizuar kursin e këmbimit të Euros, instancat rregullatore duhet të jenë transparente dhe të kenë ura komunikimi midis tyre. Të gjitha palët me në krye Bankën e Shqipërisë, duhet të bien dakord për politikat kundër pastrimit të parave. Kjo mund të sjellë dhe përmirësim të strukturës ekonomike në vend. Luhatja e euros prek dhe konsumatorët që nuk e përdorin fare atë”, -shpjegon pedagogu i ekonomisë.

Në këtë moment, eksperti tregon se adoptimi i euros si monedhë të Shqipërisë mund të jetë me kosto më të vogël për shkak të sasisë së madhe në qarkullim. Ndonëse është në kundërshtim me politikat e brendshme pasi janë miratuar paketat e deeuroizimit.

“Në momentin që një gjë nuk e lufton dot dhe nuk e nxjerr dot jashtë, përpiqesh ta bësh pjesë tënden”, thekson ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë