Kombetarja

Paradoksi me Emanuele Ndojin, jashtë Kombëtares në momentin më të mirë

Fatjon Rupi - Emri i Emanuele Ndojit as që vihej në diskutim para shpalljes së listës së trajnerit Kristian Panuçi për dy ndeshjet me Turqinë dhe Andorran, por çuditërisht mesfushori nuk bënte pjesë në 24 futbollistët e thirrur nga italiani. Menjëherë u mendua se lojtari mund të ketë pasur ndonjë dëmtim të minutës së fundit, por nuk është kështu.

Trajneri Panuçi do t’i sqarojë zgjedhjet e tij në konferencën për shtyp, por nëse shumë lojtarë të mbetur jashtë mund të justifikohen me “zgjedhjet teknike”, situata e Ndojit është paradoksale. Mesfushori shqiptar është një nga pikat më të forta të Breshias, që kryeson Serinë B dhe po ngjitet në Serinë A. Ai është titullar i padiskutueshëm dhe në disa ndeshja ka qenë vendimtar me gola shumë të rëndësishëm. Ndoj po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm me Breshian dhe interesimi i skuadrave të Serisë A ka filluar prej kohësh, por çuditërisht mungon në Kombëtaren e Shqipërisë.

Paradoksi është se Ndoj është grumbulluar, madje edhe ka luajtur titullar me Shqipërinë, kur nuk ishte në këtë nivel, ndërsa tani që po shkëlqen, lihet jashtë. Rritja e mesfushorit është evidentuar edhe në faqet shtypit sportiv italian, ku veçohet një artikull i prestigjiozes “Gazzetta dello Sport”, që shkruante për një yll që po lind te Breshia. Ndryshe mendon trajneri Panuçi…

Emanuele Ndoj

Shumë e diskutueshme është edhe lënia jashtë e Keidi Bares, një tjetër mesfushor i talentuar që luan me Malagën në Spanjë. Trajneri Kristian Panuçi u ka besuar “veteranëve” si Andi Lila dhe Migjen Basha, të cilët janë në fundin e karrierës, ndërkohë që pretendon se do të hapë një kapitull të ri në Kombëtare dhe lë jashtë futbollistë që premtojnë për të ardhmen. Ashtu si Ndoj, edhe Bare e meriton të paktën të jetë në listë, pse jo dhe për të pasur minuta. Për Manajn, Lenjanin, Lilajn, Dermakun dhe Vrionin mund të ketë justifikime, për Ndojin dhe Baren jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë