Kombetarja

Lista e Kombëtares, pesë rikthime dhe një risi nga Panuçi

Fatjon Rupi - Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Kristian Panuçi për dy ndeshjet e para eliminatore të Euro 2020, ato me Turqinë dhe Andorrën. Trajneri italian ka kthyer në Kombëtare pesë futbollistë, ndërsa risia e vetme është ajo e mesfushorit Kristi Qose. Mbeten jashtë “spanjollët” Rei Manaj dhe Keidi Bare, mesfushorët Sabien Lilaj dhe Emanuele Ndoj dhe sulmuesi Xhakomo Vrioni.

Rikthimi i madh është ai i Amir Abrashit, i cili i ka munguar Kombëtares kuqezi për një kohë të gjatë për shkak dëmtimi. Javët e fundit ai është aktivizuar titullar me Frajburgun në Gjermani dhe është plotësisht i gatshëm të japë kontributin e tij sërish për Shqipërinë. Një lojtar shumë i rëndësishëm për mesfushën, ku bashkë me Bashën dhe Xhakën përbëjnë një treshe të konsoliduar, si në kohët e ish-trajnerit Xhani De Biazi. Tri rikthime i takojnë repartit të mbrojtjes. Bëhet fjalë për Ivan Balliun, Arlind Ajetin dhe Naser Alijin, por të tre mendohet të jenë alternativa. Titullarët e prapavijës në krahë janë Elseid Hysaj dhe Egzon Binaku, ndërsa në qendër pritet të jetë dyshja “italiane” Gjimshiti-Veseli, në formë të mirë kohët e fundit. Ajeti nuk ishte grumbulluar në ndeshjet e fundit, por tani që po luan dhe që kapiteni Mërgim Mavraj është i skualifikuar, është grumbulluar nga Panuçi.

Lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Panuçi

Rikthimi i fundit është ai i Kristal Abazajt, i grumbulluar në Kombëtare që kur luante ende në kampionatin shqiptar, por me kalimin në Belgjikë ai kishte mbetur jashtë listës së Panuçit, pasi nuk po aktivizohej me Anderlehtin. Abazaj ka kaluar në kampionatin kroat, tek Osijeku, ku po luan më shumë dhe kjo është arsyeja që trajneri italian ka vendosur të grumbullojë sulmuesin e krahut.

Risia e vetme e listës së lojtarëve kuqezinj është ajo e mesfushorit Kristi Qose, paraqitja e të cilit në kampionatin sllovak ka qenë shumë e mirë dhe nuk mund të injorohej. Futbollisti 23-vjeçar, i cili më parë ka qenë pjesë e kombëtareve U-19 dhe U-21, është titullar me Ruzomberokun dhe ka spikatur edhe si golashënues me këtë ekip.

Pjesa tjetër e lojtarëve është ajo e ndeshjeve të fundit. Jashtë kanë mbetur Sabien Lilaj, i cili aktivizohet me Gabalën në Azerbajxhan, Keidi Bare dhe Rei Manaj që luajnë në kategorinë e dytë në Spanjë, mesfushori Emanuele Ndoj, si dhe sulmuesi Xhakomo Vrioni, që luan te Venecia në Itali. Çudia më madhe ka të bëjë me mungesën e Emanuele Ndojit, në një formë të shkëlqyer këtë sezon. Trajneri Panuçi ka grumbulluar Armando Sadikun dhe Bekim Balajn si qendërsulmues, ndërsa sulmues krahu janë Eros Grezda, Myrto Uzuni dhe Kristal Abazaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë