Bota

Tragjedi në paradën e Super Bowl në Kansas, një i vdekur dhe 22 të plagosur nga të shtënat me armë (Foto-Video)

Gazeta Si – Një i vdekur dhe të paktën 22 të plagosur pas të shtënave me armë në Kansas City, Missouri, gjatë paradës festive për fitoren e Chiefs në Super Bowl. Sipas mediave amerikane, tre persona të armatosur janë ndaluar nga policia.

Mes të plagosurve, 11 janë fëmijë nga 6 deri në 15 vjeç. Sipas asaj që deklaroi policia, ky është rezultati i të shtënave me armë zjarri të ndodhur ditën e djeshme në fund të paradës në Kansas City, Missouri, ku u festua fitorja e Chiefs në Super Bowl të dielën e kaluar në Las Vegas.

Imazhet tregojnë tifozët të veshur me fanellat e ekipit të tyre të preferuar duke ikur të tmerruar dhe duke u fshehur pas barrierave nga frika e një masakre tjetër.

Vështirë të mendohet për një sulm terrorist, edhe pse pak orë para ngjarjes kreu i Komisionit të inteligjencës, Mike Turner, kishte bërë të ditur egzistencën e një "kërcënimi serioz për sigurinë kombëtare", duke i kërkuar presidentit Biden të "deklasifikonte të gjitha informacionet, në mënyrë që Kongresi, administrata dhe gjithë aleatët të diskutojnë hapur për masat e nevojshme".

Pak minuta pas mbylljes së paradës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, që shkaktuan panik mes turmës. Të gjithë nisën të vraponin, aq sa i lejonin pjesët metalike që ishin vendosur si mbrojtëse. Njerëzit vraponin duke ulëritur për të gjetur vend të sigurt në rrugët anësore, ose shtriheshin në tokë.

Policia menjëherë dha alarmin në rrjetet sociale, duke u kërkuar njerëzve të largoheshin nga vendi ku u qëllua. Më pas u bë e mundur kapja e autorëve të dyshuar, me armë ende në duar. Hipoteza e parë është për një parplasje mes bandash.

Kansas City ishte festa e fundit sportive, në rend kronologjik, e përfshirë nga dhuna. Vitin e kaluar në Denver pati të shtëna me disa të plagosur gjatë festimeve për fitoren e Nuggets në kampionatin e NBA-së.

Të shtëna me armë kanë ndodhur edhe vitin e kaluar pranë paradës së fitores së Texas Rangers në Serinë Botërore të bejsbollit.

Një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë mbërriti gjithashtu gjatë natës, në të cilën Presidenti Biden i kërkoi edhe një herë Kongresit të veprojë kundër dhunës me armë zjarri.

"Së bashku me Jill, lutem për të vrarët dhe të plagosurit, që vendi ynë të gjejë vendosmërinë për t'i dhënë fund kësaj epidemie të pakuptimtë të dhunës me armë që po na copëton", tha ai.

"Këto ngjarje duhet të na prekin, të na tronditin dhe të na shtyjnë të veprojmë", shtoi presidenti amerikan, duke i ftuar amerikanët që "të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet në Kongres, në mënyrë që më në fund të mund të veprojmë për të ndaluar armët e sulmit me kapacitet të lartë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë