Bota

Para vizitës në Tiranë, Pompeo mund ta shpallë Amnesty International, antisemite

Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të jetë në Tiranë më 28 tetor, për të marrë pjesë në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, pasi dje u votua unanimisht rezoluta e përkufizimit që dënon perceptimet denigruese ndaj hebrenjve, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarde të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata Trump po shkon drejt etiketimit të grupeve ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut si Amnesty International, Human Rights Watch dhe Oxfam si “antisemite”. Kjo lëvizje thuhet se po drejtohet nga vetë Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.  Kjo lëvizje vjen, pasi grupet në fjalë dokumentuan abuzimet forcave izraelite kundër palestinezëve, duke përfshirë ndërtimin e vendbanimeve në territoret e okupuara.

Sipas raportimeve të Politico dhe Washington Post,  që citonte dy zyrtarë, thuhet se  këtë javë mund të dalë një deklaratë në formën e një raporti nga i Dërguari Special i ShBA-së për Monitorimin dhe Luftimin e Anti-Semitizmit, Elan Carr, ndërsa ka gjasa që të ndërpritet edhe mbështetja amerikane për këto grupe.

Izraeli i ka akuzuar prej kohësh grupet e  të drejtave të njeriut se e shënjestrojnë padrejtësisht Izraelin  dhe e mbajnë shtetin hebre më përgjegjës se vendet e  tjera mbi trajtimin që u bën palestinezëve.  Amnesty International e ka akuzuar administratën Trump dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo për përpjekje “për  të heshtur dhe frikësuar organizatat ndërkombëtarë të të drejtave të  njeriut.

Masa do të duket si  dhuratë për të djathtët izraelitë përpara zgjedhjeve të ShBA-së,  pasi thuhet se po drejtohet nga Pompeo.

Figurat e djathta politike izraelite, jo vetëm kryeministri, Benjamin Netanyahu, janë ankuar prej kohësh se çdo shqyrtim i të dhënave të të drejtave të njeriut të Izraelit në lidhje me palestinezët, përfshirë edhe nga organet e OKB, janë të  njëanshme dhe joproporcionale.

Deklarata e diskutuar,  ndjek ato nga figura të larta politike izraelite që bëjnë akuza të ngjashme.

Vitin e kaluar, Gilad Erdan, ministër i atëhershëm i Çështjeve Strategjike, kërcënoi ta ndalonte Amnesty International nga Izraeli, për një raport që u bënte thirrje faqeve të internetit si Airbnb, Booking.com, Expedia dhe TripAdvisor të bojkotonin  listimin e  vendbanimet hebraike në territoret e okupuara Palestineze - konsideruar si i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar - duke i akuzuar sitet për përfitime nga “krimet e luftës”.

“Amnesty International, ajo organizatë hipokrite që flet në emër të të drejtave të njeriut, po vepron për të promovuar një bojkot të izraelitëve si pjesë e një fushate të delegjitimizimit antisemitik”, thoshte   Erdan në atë kohë.

Raporti do të citonte mbështetjen e perceptuar të organizatave të tilla për Bojkotin, Zhvendosjen dhe Sanksionet, e cila ka vënë në shënjestër Izraelin mbi  ndërtimin e vendbanimeve në tokat,  që pretendojnë palestinezët për një shtet të ardhshëm.Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi deklaratën  që pritet të dalë, e raportuar  së pari nga Politico.

Fushata e Amnesty International në thirrje për kompanitë e udhëtimit të mos listojnë dhoma dhe veprimtari në vendbanimet izraelite, në territoret palestineze. Janar 2019.

Amnesty International, Human Rights Watch dhe Oxfam kanë mohuar  me forcë çdo akuzë për antisemitizëm. Në një deklaratë, Bob Goodfellow, i Amnesty International ShBA, tha: “Akuzat e pabaza të Sekretarit Pompeo janë edhe një përpjekje tjetër për të heshtur dhe frikësuar organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Administrata po përhap dezinformata dhe po punon për të minuar ata që po punojnë për të mbrojtur të Drejtat e Njeriut. Amnesty International ShBA është thellësisht e përkushtuar për të luftuar antisemitizmin dhe të gjitha format e urrejtjes në të gjithë botën  dhe do të vazhdojë të mbrojë njerëzit kudo që mohohen drejtësia, liria, e vërteta dhe dinjiteti. Ne kundërshtojmë me forcë çdo pretendim të antisemitizmit”, do të thoshte Goodfellow, duke vijuar se “Është shqetësuese të shohësh sekretarin Pompeo të bashkohet me listën e njerëzve dhe qeverive që përdorin akuza të antisemitizmit për t'u përpjekur të fshijnë abuzimet e të drejtave të njeriut, nën qilim”.

Fushata e Oxfam

Noah Gottschalk, nga Oxfam Amerikë, thotë se çdo insinuatë që  Oxfam mbështet antisemitizmin është e rreme, e pabazë dhe fyese. “Oxfam dhe partnerët tanë izraelitë dhe palestinezë kanë punuar në terren për dekada me radhë për të promovuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar mbështetje shpëtuese për komunitetet izraelite dhe palestineze. Ne i qëndrojmë historisë sonë të gjatë të punës duke mbrojtur jetën, të drejtat e njeriut dhe të ardhmen e të gjithë izraelitëve dhe palestinezëve’.

Izraeli dëbon punëonjësit e Human Rights Watch

Zyrtari i Human Rights Watch, Eric Goldstein, gjithashtu e dënoi masën. “Ne luftojmë diskriminimin në të gjitha format, duke përfshirë antisemitizmin," tha ai në një deklaratë. “Kritikat ndaj  politikës së qeverisë nuk është e njëjta me sulmin ndaj një grupi specifik njerëzish. Për shembull, kritikat tona ndaj politikës së qeverisë amerikane nuk na bëjnë anti-amerikanë ”.

Shqipëria e njohur gjerësisht për mbrojtjen që u ka bërë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre, me rezolutën e miratuar nga Parlamenti ndjek shembullin e 31 shteteve të tjerë, që kanë pranuar përcaktimin e  përkufizimit të Aleancës Ndërkombëtare  për Përkujtimin e Holokaustit , që  dënon perceptimet denigruese ndaj hebrenjve, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarde të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Edhe ambasadori Soreca ka bërë të ditur se BE  të paraqesë një strategji gjithëpërfshirëse mbi antisemitizmin në 2021. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar antisemitizmin helm për komunitetin. “U takon të gjithëve ta luftojnë atë, ta parandalojnë dhe ta çrrënjosin. Lufta kundër antisemitizmit është për çdo pjesë tjetër të komunitetit tonë po aq sa për popullin hebre. Është një luftë që duhet drejtuar në nivelin lokal, rajonal, kombëtar dhe europian. Duhet të bëjmë të gjithë pjesën tonë. Komuniteti hebre nuk është i vetëm”. Pak ditë më parë edhe rrjeti social Facebook, vendosi politikën e re që ndalon përmbajtjet të cilat mohojnë Holokaustin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë