Njerez

Para në këmbim të kënaqësisë/Rrëfimi i një sugarbaby dhe një sugarmommy në Shqipëri

Nga Gisela Troplini- Tregu nuk ka ndryshuar, por vende vende ka evoluar, është bërë sadiste dhe mazokiste në të njëjtën kohë. Një term i moderuar për prostituimin, kazanovën dhe lidhjet jashtë martesore, ato që Gen Z i quan "sugardaddy" dhe "sugarmommy", i riu apo e reja emërohen si "sugarbaby".

Sheqer duket kur jep kënaqësi shpirtërore dhe fizike e të marrësh para, shumë para, në këmbim. 

Ndonëse, termi është në gjuhë të huaj, fenomeni nuk është i tillë. Kjo ndodh dhe në Shqipërinë tonë të vogël, një vend në zhvillim aty në perëndim të Ballkanit.

Patriarkati e ka bërë pak më të pranueshme "sugardaddy" ku një mashkull paguan një femër për ta kënaqur, një histori e lashtë sa vetë bota. Ajo më pak e zakonshme është "sugarmommy", një femër paguan një mashkull.

N.D, një 23 vjeçar nga Tirana tregon historinë e tij për gazetën "SI", lidhjen e tij me një grua relativisht në moshën e mamasë së tij, mbi 45 vjeç.

Ai tregon se gjithçka nisi në periudhën e karantinimit me një kërkesë për miqësi në Instagram, rrjeti social ku sipas tij është "strehë" për ata që janë në kërkim.

"Ajo sapo ishte ndarë nga një i dashur tjetër dhe ishte në kërkim, ndërkohë ishte e martuar dhe mama e dy fëmijëve",-tregon N.D.

Kërkesa për miqësi  u shkallëzua në bisedë, në takim e tani në një lidhje mbi 1 vjeçare.

I riu tregon per gazetën "SI" se që atëherë nuk i është dashur të punojë. Ajo e ndjen të detyrueshme që për çdo jave të paguajë 200 euro për asgjë. Për gjëra të tjera paguan shtesë. N.D tregon se merr vazhdimisht dhurata të shtrenjta.

"Asaj i pëlqen t'i plotësojë një të riu çfarë ai kërkon, siç i riu i plotëson asaj çfarë ajo kërkon. Përveç lekëve ajo ka qef të më bëjë dhe dhurata. Veshje, aksesorë. Preferon orat Tissot",- thotë 23 vjeçari duke qeshur.

Sipas N.D, një grua që jeton mirë, me fëmijë dhe bashkëshort,  kërkon një djalë më të ri që t'i japë edhe njëherë asaj ndjesinë e të qenurit e re.

"Ajo mund të japë çdo gjë për këtë ndjesi".

23 vjeçari shprehet se një grua "egoiste" siç është "sugarmommy" i tij apo dhe shumë të tjera si to, kanë fantazi dhe dëshira për të përmbushur që ndoshta potençiali fizik i bashkëshortit apo burrave në të njëjtën moshë me ato  nuk mundet t'i kryejë. 

N.D tregon me bindje të plotë se vajza dhe djem nëpër Tiranë janë të gatshëm për marrëdhënie të tilla e nuk do të refuzonin kurrë të bënin para pa mund e t'i mundësonin vetes jetesë më të mirë. "Fundja kënaqësia fizike është e dyanshme dhe pse ta bësh falas kur ka njerëz që kërkojnë lidhje afatgjata dhe të paguajnë për të pa u perfshirë emocionalisht?!"

"Një vit më vonë ajo është bërë kontrolluese dhe ka krijuar afeksion ndaj meje, më tepër se vetëm seksuale. Unë jo. Për lekët po rri",-tregon për "SI" i riu nga Tirana.

Në qytetin ngjitur me Tiranën, në Durrës është çifti i 25 vjeçarit F.P dhe 43 vjeçares në anonimat, një lidhje e nisur në vitin 2015 vetëm për "sheqer".

Në 2015-ën, F.P sapo kishte mbushur 19 vjeç , punonte kamarier në një kafene në plazh, merr një ftesë në Facebook nga 43 vjeçarja që atëherë ishte 37 vjeç. Çifti tregon se nuk ishin të panjohur plotësisht, rrethi shoqëror i kishte pjekur me njëri-tjetrin, por vetëm aq, asgjë më shumë.

"Pamja ishte gjëja e parë që më pëlqeu tek F.P, shikoja fotot dhe imagjinoja. Afërsisht 20 vite më i ri se unë më bëntë të mendoja njësoj dhe për veten",-tregon për gazetën "SI" 43 vjeçarja.

Ndryshe nga ajo, djali 25 vjeçai tregon se nisi të flasë vetëm për të thënë që komunikon me dikë, pa asnjë synim. Pas disa bisedave dhe takimesh, F.P merr ofertën për të qenë një "sugarbaby".

"Asaj  kishte filluar t'i pëlqeja unë dhe me diferençë aq të madhe moshe, mendonte se unë mund të lidhesha me të vetëm nëse merrja para"-tregon F.P.

Gruaja , është nënë e dy vajzave, e divorcuar dhe jeton në Itali. Në verën e 2015-ës ajo do të largohej përsëri për në shtetin ku jetonte dhe i kërkoi të riut të largoheshin bashkë.

F.P tregon se nuk pranoi të largohej dhe atë natë mori në dorë 2.000 euro në kartmonedha, të thata. Në një situatë finançiare jo shumë të qëndrueshme më familjen e tij dhe rroga e tij e kamarierit, 2.000 euro-t i zgjidhën punë.

Kontaktet e tyre   pothuajse u zhdukën deri sa në ardhjen saj  në Shqipëri për pushimet e fundvitit, F.P merr një mesazh për tu takuar.

"Kaluam 2 netë bashkë dhe më dha rreth 1.300 euro, ndërkohë që ishte e dukshme që më donte pranë vetes",-thotë i riu nga Durrësi. Këtu vendosën të mbajnë kontakte, nga dy shtete të ndryshme.

I riu merrte çdo muaj shuma parash të mëdha, sa dhjetëfishi i rrogës së tij si kamarier. 

Çifti tregon se për një vit, F.P u largua për në Itali, pasi për të dy marrëdhënia u bë më emoçionale. 6 vite më vonë ata jetojnë bashkë në Itali dhe duke qeshur,  i riu tregon se nuk punon e se puna  e tij e fundit ishte si kamarier në një kafene në plazhin e Durrësit.

Ndryshimet ekonomike nga Boomers-at tek Gen Z-të, dobësia për paranë, brishtësia dhe pasiviteti, paraja e lehtë apo dekadenca në shoqëri? Cila është arsyeja e zhvillimit të tregut të mamave dhe babave me fëmijë të vetët që u japin sheqerka fëmijëve të huaj?

Rinia, ishte dhe thelbi i paktit të Dorian Gray me djallin, njësoj si pakti i sugarmommy-ve shqiptare me paranë.  Djalli dhe paraja është ndryshimi, veç në kanë dalë të dyja nga ferri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë