Motosport

Papa i shkruan Xanardit, ish-pilotit që po lufton me vdekjen

"I dashur Alesandro, historia jote është një shembull se si mund të ringrihemi pas një pengese të paparitur”. Kështu fillon letra që Papa Françesku i ka shkruar Aleks Xanardit nëpërmjet “Gazzetta dello Sport”. Ati i Shenjtë i drejtohet me një lutje kampionit paraolimpik, simbol i vullnetit për të jetuar dhe luftuar fort. Ish-piloti i Formula 1 është i shtruar në një poliklinikë të Sienës që më 19 qershor, në gjendje kritike për jetën, pas përplasjes me një kamion afër Piencës.

"Me anë të sportit na mësove ta jetojmë jetën ndryshe, - vazhdon mesazhi i Papa Françeskut, - duke i dhënë një leksion njerëzimit si person me aftësi të kufizuara. Faleminderit që i ke dhënë forcë atij që e kishte humbur. Në këtë moment kaq të dhimbshëm dua të të qëndroj pranë, lutem për ty dhe familjen tënde. Zoti ju bekoftë".

Gjendja e ish-pilotit mbetet e rëndë. Sipas mjekëve, ai nuk mund të zgjohet pa kaluar të paktën 7 ditë. Mesazhet në mbështetje të Zanardit kanë qenë të shumta. Më prekës ishte ai i djalit të tij, Nikolo, i cili ka postuar një foto me dorën e tij dhe të të atit, duke shkruar: “Këtë dorë nuk do ta lëshoj kurrë, forca baba! Të pres të kthehesh shpejt!”

Burimi: Sportmediaset/ Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë