Njerez

Papa, FAO-s: Paratë për armët të përdoren në zhdukjen e urisë

Në një videomesazh të Papës Françesku për drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Qu Donguy, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate të OKB-së, ftesa për të marrë një vendim të guximshëm: “me paratë që përdoren për armët e për shpenzimet e tjera ushtarake, të krijohet ‘një fond botëror’, i cili ta zhdukë përfundimisht urinë”

Mesazhi i Papa Françeskut

Në një epokë plot kontradikta, është e nevojshme t’i përgjigjemi sfidës së urisë në botë me vepra konkrete, sepse është “turp” për njerëzimin që kaq shumë njerëz “vazhdojnë të vdesin nga mungesa e ushqimit”. Papa Françesku e pohon këtë pa doreza në videomesazhin për Qu Donguy, drejtorin e përgjithshëm të FAO-s, Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.

 Pikërisht sot, në të gjithë botën, kremtohet Dita Ndërkombëtare e Ushqimit, e cila përkujton datën e themelimit të FAO-s, më 16 tetor 1945. Sivjet, kremtimi i 75-vjetorit të organizatës, me seli në Romë, u bë në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

75-vjetori i FAO-s

 “Misioni juaj është i bukur dhe i rëndësishëm, sepse ju punoni me objektivin e mposhtjes së urisë, të pasigurisë ushqimore dhe të kequshqyerjes”, thotë Papa në krye të videomesazhit, duke kujtuar se tema e Ditës së sotme Botërore është: “Të kultivojmë, të ushqejmë, të ruajmë. Së bashku”. Ajo nënvizon nevojën për punë të përbashkët dhe për “vullnetin e fortë”, që synon t’u japë shpresë njerëzve dhe popujve. Ati i Shenjtë vazhdon:

“Gjatë këtyre 75 viteve, FAO e ka kuptuar se nuk mjafton të prodhohet ushqim, por ka rëndësi edhe që sistemet ushqimore të jenë të qëndrueshme dhe të ofrojnë dieta të shëndetshme për të gjithë. Duhen gjetur zgjidhje të reja, që ta shndërrojnë mënyrën e prodhimit dhe të konsumimit të ushqimit, për të mirën e bashkësive dhe të planetit tonë, duke përforcuar kështu aftësinë përtëritëse dhe qëndrueshmërinë afatgjatë”.

https://youtu.be/R9I7kF-EINM

Të shpërndahen më mirë frytet e tokës

 Në këtë kohë pandemie, pohon Papa Françesku, është edhe më e nevojshme të mbështeten nismat e organizatave si FAO, PAM (Programi Ushqimor Botëror) dhe IFAD (Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor), për të promovuar “larminë në bujqësi” dhe zhvillimin rural të vendeve më të varfra. Në një epokë kur, nga njëra anë, shkenca bën hapa gjigante dhe, nga ana tjetër, ka “kriza të shumta humanitare”, Ati i Shenjtë vëren me trishtim se, pavarësisht nga përpjekjet, numri i njerëzve të uritur, që nuk e kanë të sigurt ushqimin për të nesërmen, po rritet vazhdimisht. E pandemia aktuale po e keqëson edhe më tej gjendjen. Papa ngre zërin në një denoncim të fuqishëm:

“Për njerëzimin, uria nuk është vetëm tragjedi, por edhe turp. Shkaktohet, në shumicën e rasteve, nga shpërndarja e pabarabartë e fryteve të tokës, së cilës i shtohet edhe mungesa e investimeve në sektorin e bujqësisë, pasojat e ndryshimit të klimës dhe rritja e konflikteve në zona të ndryshme të planetit. Nga ana tjetër, hidhen tonelata me ushqime. Para këtij realiteti, nuk mund të jemi të pandieshëm, ose të paralizohemi. Jemi të gjithë përgjegjës”.

Në vend të plumbave, bukë

Papa Françesku i bën thirrje edhe një herë bashkësisë ndërkombëtare për të zbatuar politika në lartësinë e kësaj sfide. E nxit të mos ndalet në diskutime “dialektike ose ideologjike”, duke i lënë “vëllezërit dhe motrat të vdesin për mungesë ushqimi”. E pastaj, ripropozon idenë e paraqitur në enciklikën e tij të fundit “Fratelli tutti”:

“Do të ishte vendim i guximshëm krijimi i një “Fondi Botëror” me paratë e përdorura për armë dhe shpenzime të tjera ushtarake, në mënyrë që të eliminohet përgjithmonë uria dhe të kontribuohet në zhvillimin e vendeve më të varfra. Kjo do të parandalonte shumë luftëra, si edhe emigrimin e shumë vëllezërve tanë e të familjeve të tyre, të detyruar të ikin nga shtëpitë dhe nga atdheu, për të kërkuar një jetë më dinjitoze”.

Në përfundim të videomesazhit, urimi dhe bekimi i Papës për FAO-n, që veprimtaria e organizatës në të ardhmen të jetë “gjithnjë e më e frytshme”, me synimin për të ushqyer të uriturit dhe për ta mbrojtur tokën, që të gjithë të kenë një jetë dinjitoze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë