Lajme

Pangalos: S’jam pro faqezinjve që sulmojnë policinë!

Thirrjeve për uljen e tensioneve Athinë-Tiranë pas vrasjes së Kostandinos Kaçifas, i është bashkuar sot edhe një prej politikanëve më të shquar të vendit fqinj, Teodoros Pangalos.

Ish-ministri i jashtëm dhe ish-zëvendëskryeministri grek, ka dënuar reagimet e dhunshme në Selanik dhe Athinë, duke thënë se kushdo ka armë në dorë duhet të qëllohet. “Unë nuk jam pro faqezinjve kur hedhin molotov apo sulmojnë policinë. Nëse jeni ju…”, deklaroi diplomati i grek.

https://www.youtube.com/watch?v=_MCwMipwJ-Q

I pyetur nga televizioni Skai në lidhje me ngjarjen në Bularat dhe pasojat e saj në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, ai thotë se politika e jashtme nuk bëhet kush është më i fortë. Sipas tij Athina duhet të punojë për të krijuar aleanca me fqinjët e saj.

“Nuk bëhet politik e jashtme me kush është më i fortë, kush bërtet më shumë. Me një ekonomi të shkatërruar nuk mund ta themi këtë. Greqia duhet të zgjidh problemet e saj me aleanca me fqinjët e saj”, u shpreh ish-ministri grek.

Lidhur me debatin se Kacifas nuk u lejua të vendoste flamuj në Bularat, Pangalos thotë se në fotot që kishte parë kishte flamuj kudo duke e cilësuar si të pakuptimtë faktin se 35-vjeçari kishte tentuar të vendoste flamuj në fshat.

“Unë pashë në fotografitë e publikuara se kishte flamuj kudo në fshatrat, nuk e kuptoj këtë që thonë se nuk e lejuan të vendosi flamur. Nuk e kuptoj se çfarë deshi ai (Kacifas) të shkonte nga Greqia të vendoste flamuj aty? Nuk kishte kush ta bënte aty?”, u shpreh Pangalos.

 Kostandinos Kaçifas 

Megjithatë, ish-ministri i jashtëm grek e cilëson të gabuar reagimin e kryeministrit Edi Rama. “Rama bëri deklaratë të gabuar në moment të gabuar sepse donte të merrte vota në Jug të Shqipërisë”, shprehet Pangalos.

Në maj të këtij viti, ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti i PASOK, vizitoi vendin tonë për t'u nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa”, nga Presidenti Ilir Meta. Pangalos është një nga politikanët më të dashur për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ndoshta edhe për shkak të origjinës së tij arvanitase. Kjo nuk është hera e parë që ai bën thirrje për marrëdhënie më të mira me vendin tonë, pasi në një intervistë në vitin 2017, ai shprehej se Greqi nuk kishte bërë aq sa duhej për Shqipërinë.

“Kam përshtypjen se nuk kemi bërë atë që duhet të bënim për Shqipërinë! Nuk ekzistojnë pengesa me Shqipërinë, nuk është si çështja e Shkupit, të cilën ne nuk mund as ta përmendim. Mund të bisedojmë me shqiptarët dhe të përgatisim një paketë me gjërat që kërkon Rama dhe ta shohim këtë çështje të marrëdhënies me Shqipërinë. Nuk mendoj se populli grek në këto çaste do të mbështeste çfarëdo plani, megjithëse të çmendur ekzistojnë sigurisht në çdo vend, diçka që të kishte të bënte më Shqipërinë e Madhe që përfshin Epirin dhe Thesalinë siç thonë disa. Natyrisht ka dhe njerëz të tillë, por ata janë krejtësisht të veçuar. Pjesa më e madhe kërkon marrëdhënie të mira me Greqinë në të cilën shkojnë e vijnë. Mos harroni se në Greqi jetojnë pothuaj 800 mijë shqiptarë dhe në dy vitet e fundit janë kurorëzuar rreth 50 mijë martesa të përziera”, deklaronte Pangalos.

Teodoros Pangalos

Kush është Theodoros Pangalos

Ai lindi në 17 gusht të vitit 1938, një anëtar kryesor udhëheqës i Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Ai ka qenë zëvendëskryeministër i Greqisë, përgjegjës për koordinimin e Këshillit të Qeverisë për Punët e Jashtme dhe ato të Mbrojtjes (KYSEA) dhe Komitetit të ri të Politikave Ekonomike dhe Sociale nga viti 2009, deri në vitin 2012.

Politikani me orgjininë arvanitase u bë anëtar i Partisë Komuniste të Greqisë, duke u rritur në Komitetin Qendror, përpara se t’i bashkohej përfundimisht partisë socialiste PASOK gjatë Metapolitefsi-t. Ai u zgjodh për herë të parë si anëtar parlamenti në vitin 1981 në zgjedhjet e përgjithshme me partinë PASOK dhe është rizgjedhur vazhdimisht që atëherë.

Në vitin 1996 ai u emërua si Ministër i Punëve të Jashtme dhe e mbajti këtë post deri në vitin 1999 kur dha dorëheqjen, si pasojë e një skandali në të cilin u përfshi lideri kombëtar Kurd Abdullah Öcalan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë