Ushqim

Panetone apo puding për festa/ Pse u futën në sherr Italia dhe Anglia për dy produktet tradicionale

Redaktori i ushqimit për ‘Times’ Tony Turnbull kundërshton statistikën që pretendon se në Britani shitjet e panetoneve (produkt tipik Italian) kanë tejkaluar ato të ëmbëlsirës tradicionale angleze, puding.

Ditë më parë, rrjeti anglez i supermarketeve Waitrose njoftoi se shitjet e panetoneve në Britani ishin rritur me 24 për qind dhe gjigandi i dyqaneve të mallrave Selfridges kishte konfirmuar trendin, duke zbuluar se prej disa vitesh panetonet preferohen më shumë se puding tradicional. Redaktori i ushqimit i Times, Tony Turnbull, kundërshtoi statistikat dhe, në një artikull të gjatë, ai ‘sulmoi’ panetonet, duke e bërë të qartë se atij nuk i pëlqejnë fare.

“Mjaft me panetonet. Unë dyshoj (dhe shpresoj) se shifrat e shitjeve nuk tregojnë të gjithë historinë. Si fillim, shumë njerëz ende bëjnë pudingun e Krishtlindjeve, ndërsa askush nuk e bën panetonen në shtëpi, kështu që nuk llogariten adhuruesit e pudingut. Për më tepër, ne të gjithë e dimë se sharmi i panetones, me paketimin e bukur, nuk qëndron tek ngrënia, por tek dhënia si dhuratë”.

I pakënaqur, Turnbull gjithashtu e përshkallëzoi çështjen duke thënë: “Aperitiv së bashku? Merrni një panetone. Dhuratë për një koleg? Merrni një panetone. Një falenderim për kujdestaren e qenve? Merrni një panetone. Është si një lojë e madhe."

Por sfidat nuk kanë mbaruar. Gazetari, në fakt, renditi të gjitha defektet e panetones, që, sipas tij, “është shumë e ëmbël, shumë shpesh e rëndë dhe e gatuar tepër”.

Çfarë është pudingu i Krishtlindjes?

Pudingu i Krishtlindjes ka zbukuruar tavolinat e Krishtlindjeve për shekuj me radhë në Britani. Fillimisht, e pasuruar me rrush të thatë, kumbulla dhe verëra, kjo ëmbëlsirë kishte një konsistencë më të afërt me atë të një supe. Me kalimin e viteve, recetat kanë ndryshuar dhe zhvilluar, duke shtuar përbërës të tillë si vezë, fruta të thata dhe birrë.

Megjithëse forma dhe ngjyra e tij mund të sjellin në mendje panetonen, duhet nënvizuar se pudingu i Krishtlindjeve është një entitet britanik më vete. Kjo ëmbëlsirë, e shërbyer e nxehtë, ka një konsistencë që të kujton një puding, duke u pozicionuar ndër ëmbëlsirat më të njohura.

Dy shijet që ndjellin thellë periudhën e Krishtlindjes kanë bërë që mediat angleze dhe italiane të shkruajnë gjatë për to, pas kritikave të ashpra të një nga kritikëve më të mëdhenj të ushqimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë