Biznes

Pandemia / Përkeqësohet besimi i biznesit të ndërtimit

Banka e Shqipërisë thotë se Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) vijoi të përmirësohet në tremujorin e katërt të vitit 2020, duke u rritur me 6 pikë. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, vlera e TNE-së rezultoi rreth nivelit 81.1, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren historike, e ndikuar nga goditja e fortë negative në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja tremujore e TNE-së ka reflektuar kryesisht përmirësimin e besimit në tregti, industri dhe shërbime.

Treguesi i besimit në ndërtim ka pësuar rënie të lehtë. Banka thekson se të gjithë treguesit e besimit vazhdojnë të qëndrojnë nën mesataret përkatëse historike.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) u rrit me 7.7 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Në këtë sektor janë rritur prodhimi, me 16.8 pikë përqindje, dhe kontratat porositëse, me 12.5 pikë përqindje. Ndërkohë, gjendja e inventarëve ndikoi negativisht. Kurse pozitivisht ka ndikuar gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, me gjithë rritjen pranë nivelit 72.0%, ajo vazhdon të mbetet nën vlerën e shënuar një vit më parë dhe nën mesataren historike. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe punësimit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra lehtësisht me 1.0 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, pas përmirësimit të ndjeshëm në tremujorin e tretë. Në këtë rënie ka ndikuar aktiviteti ndërtues me 3.5 pikë përqindje, ndërkohë që kontratat porositëse, u rritën me 1.4 pikë përqindje. Midis elemenëtve të tjerë të vrojtimit, gjendja financiare shfaqi përkeqësim, ndërsa punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm rezultuan të përmirësuara. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi pranë 64.5%, një nivel ky lehtësisht më i lartë si krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe me mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) u rrit me 7.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Ecuria e TBSH-së pasqyroi rritjen e të dy elementëve, ecurinë e biznesit dhe kërkesa, me përkatësisht 7.2 dhe 7.1 pikë përqindje. Edhe treguesit e tjerë të vrojtimit si gjendja financiare, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u përmirësuan. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 72.2%, një vlerë kjo gjithsesi më e ulët se niveli i shënuar një vit më parë dhe mesatarja historike përkatëse. Ndërkohë, bizneset në sektorin e shërbimeve presin rënie të kërkesës në tremujorin e ardhshëm.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) u rrit me 8.5 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Përmirësimi i TBT-së reflektoi kryesisht rritjen e  ecurisë së biznesit, me 17.0 pikë përqindje. Ndërkohë, elementi tjetër i treguesit, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, rezultoi në një nivel pothuajse të njëjtë me një tremujor më parë (+0.1 pikë përqindje). Të përmirësuara ishin edhe gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm. Sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo rezultoi rreth 73.7% - pothuajse sa një tremujor më parë (-0.2 pikë përqindje) - dhe vijon të mbetet nën mesataren historike të saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë