Biznes

Pandemia godet fortë-Deri 60 % e bizneseve kanë rënie të të ardhurave

Kanë nevojë për ristrukturim të kredive

Pandemia ka pasur një ndikim negativ në të ardhurat e rreth 40 deri në 60% të bizneseve kredimarrëse.

Ky është konkluzioni i një pyetësori që Banka e Shqipërisë ka bërë në bankat e nivelit të dytë.

Sipas pyetësorit, vetëm një pakicë bankash mendon se ky ndikim negativ kufizohet në rreth 21-40% të bizneseve, ndërkohë që intervalet 0-20% dhe 61-80% janë zgjedhur përkatësisht nga një bankë secila.

Përkeqësimi i të ardhurave të bizneseve ka sjellë rrjedhimisht vështirësi të përkohshme në gjendjen financiare të bizneseve. Në të njëjtën kohë, situata e krizës mund të reflektojë negativisht në një sasi të konsiderueshme edhe perspektivën afatmesme e afatgjatë të vetë biznesit. Në këto rrethana, bizneset të cilat financojnë një pjesë të aktivitetit të tyre me fonde hua, përfshi dhe kredi bankare, mund të kenë nevojë për lehtësi të përkohshme financiare nga huadhënësit. Në këtë kontekst, bankat u pyetën edhe se sa për qind e bizneseve/klientëve të tyre kishin nevojë të ristrukturonin kreditë aktuale.

Tetë prej nëntë bankave që morën pjesë në pyetësor, të cilat zotërojnë rreth 72% të totalit të kredisë akorduar bizneseve, raportuan se pjesa e klientëve të tyre të cilit kishin nevojë për ristrukturim, apo kishin ristrukturuar kreditë aktuale, luhatet në intervalin 0-20%. Ndërkohë, një bankë u shpreh se klientët e saj që kishin nevojë për të ristrukturuar kreditë aktuale luhateshin në intervalin 21-40%.

Sipas BSH-së, masat e marra deri më tani nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet publike kanë synuar zbutjen e efekteve negative të pandemisë në ekonomi, si edhe frenimin e përçimit të goditjes nga ekonomia reale në tregun financiar dhe anasjelltas, por sipas bizneseve kanë qenë të pamjaftueshme.

Megjithatë, BSH thotë se moratoriumi i kredive të bizneseve mbetet një vendim i largët dhe stacioni I fundit ku banka mendon të mbërrijë si zgjidhje, edhe pse gjykon se ecuria e kredisë pritet të jetë derivat i zhvillimeve të lidhura me kërkesën në vend, shëndetin e bilancit të sistemit bankar, si edhe me vijimësinë e politikave mbështetëse për mirëfunksionimin e sistemit financiar.

Në këtë kontekst, bankat u pyetën edhe për rëndësinë e faktorëve të mësipërm në ecurinë e kreditimit për të ardhmen, ku vlerat sa më pranë 5 përfaqësonin rëndësi më të lartë.

Sipas opinionit të bankave, faktori më i rëndësishëm që pritet të përcaktojë ecurinë e kredisë në të ardhmen është performanca e treguesve makroekonomikë, e lidhur kryesisht me ecurinë e sektorëve specifikë të ekonomisë. Rëndësia e këtij faktori vlerësohet në nivelin 4.4 nga një maksimum prej 5. Po ashtu, politikat mbështetëse ekonomike janë vlerësuar si faktor i rëndësishëm për zhvillimet në tregun e kredisë. Bankat gjykuan se faktori më pak i rëndësishëm ndër ta, ishte ai i lidhur me ecurinë e kredive me probleme apo shëndetin e bilancit të vetë bankave. Mesatarisht, ky faktor u vlerësua i një rëndësie prej 2.9, duke sugjeruar se bankat nuk e shohin bilancin e tyre si faktor pengues në kreditim.

BSH thotë se e ardhmja mbetet e rrethuar nga një pasiguri e lartë, e lidhur kryesisht me shkallën e kufizimeve të nevojshme për të frenuar përhapjen e virusit dhe zgjatjen e tyre në kohë. Megjithatë, përfundon ajo,  masat mbështetëse të ndërmarra deri më tani, krahas efektit pozitiv që kanë pasur, mund të shërbejnë si një eksperiencë e vlefshme për krijimin e kushteve të duhura në përballimin e goditjeve të mundshme në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë