Biznes

“Pana” e vetmja sipërmarrje shqiptare në panairin më të madh të mobiljeve në Europë

Sabina Veizaj -Tek lundroja në instagram, Pezana, themeluesja dhe CEO e “Pana”-s, që prodhon mobilje me dru të ricikluar, kishte ngarkuar një video teksa hipte në furgon në vendin e shoferit për të transportuar mobiljet drejt panairit më të madh të mobilerisë në Europë.

“Pana” është e vetmja sipërmarrje shqiptare që merr pjesë në panairin “Wohne und Interior” me qendër në Vjenë, ku do të ekspozohen mobilje të 2000 subjekteve nga e gjithë Europa.


“Për mua jam afër ëndrrës së madhe për ta nxjerrë Panën jashtë kufijve të Shqipërisë. Ka gjashtë vjet që e pres këtë ditë” - Pezana Rexha


“Për mua jam afër ëndrrës së madhe për ta nxjerrë Panën jashtë kufijve të Shqipërisë. Ka gjashtë vjetë që e pres këtë ditë” – më shkruan virtualisht Pezana Rexha, themeluesja dhe CEO e “Pana-s”.

Ajo ka fituar në 2015-ën çmimin si Sipërmarrja Sociale më inovatore në Europë kur është financuar për projektet e prodhimit të mobiljeve eko nga European Investment Bank. E njëjta bankë, këtë herë i ka ofruar grantin për të qenë pjesëmarrëse me stafin e saj në panairin e mobilerisë në Vjenë.

Pezana më shkruan se, megjithëse ajo ka shëtitur për trajnime, konferenca e konkurse në të katrta anët e botës, ky udhëtim ka qenë një eksperiencë unike, e pashpjegueshme, por edhe me shumë peripeci.

Nga fotot që postonte herë pas here në Instagram duke treguar copëza të udhëtimit drejt Vjenës, ajo vuri në dukje në një moment se pritja për ardhjen e mobiljeve zgjati dhe po e humbte shpresën për të realizuar ëndrrën që zgjaste.

Megjithatë edhe në momente tensioni, ajo nuk e humbte toruan, por kërkonte për alternativa humoristike në rast se mobiljet nuk do të vinin prej Shqipërisë.

“Do të pozonin vetë, Ajo me kolegët dhe do tu thonin të ftuarëve se mobiljet ishin të dejkushme përtej tyre”- ishte një nga alternativat për pjesëmarrje në panair teksa vrisnin kohën dhe tensionin e pritjes.

Por më në fund mobiljet mbërritën dhe punët nisin të ndaheshin. Pezana do të ngiste furgonin për të shpënë mobiljet në vendndodhjen e panairit.

https://www.youtube.com/watch?v=BNvacZlzdo8&feature=youtu.be

Ajo më thotë se panairi “Wohne und Interior” i cili mbahet në datat 9-17 mars është shumë i madh. 2000 subjektet pozicionohen në katër godina.

Pezana dhe kolegët duke montuar mobiljet për panair

Ky panair është ngjarja më e madhe e vitit në Messe Wien. Është panairi më i madh dhe më i rëndësishëm për mobiljet e cilësisë Premium, gjithashtu mbetet një nga ngjarjet me akses publik më domethënëse në Austri.

Në 2018-ën Wohnen & Interieur intrigoi 72,000 vizitorë me një kapacitet të lartë blerëse ku u paraqitën 750 ekspozues dhe marka. Vizitorët vlerësojnë në masë të madhe bisedat ballë për ballë, kontaktin personal dhe këshilla të përshtatura për të gjitha mallrat dhe shërbimet, të cilat janë bërë gjithnjë e më të rëndësishme në një mjedis biznesi digjital.

Prandaj ky panair është shumë i rëndësishëm për Pezanën, pasi ajo kërkon që ti eksportojë mobiljet e “Panës” jashtë kufijve e gjithashtu të ngrejë bashkëpunime të vyera për të ardhmen e sipërmarrjes së saj.

Pana është krijuar në vitin 2013 prej Pezanës dhe të atit të saj, në një moment determinant për të. Ajo në atë kohë ndihmonte fëmijët jetimë, kafshët e rrugëve dhe projekte të tjera vullnetare të ngjashme.

Në atë kohë i ati i Pezanës, i cili është ndarë nga jeta, doli në pension, por ishte aktiv për të punuar.

Në një intervistë më të hershme Pezana më tregonte; “Duke mos dashur që im at ta kalonte kohën duke luajtur domino, vendosa të krijoj Panën si biznes social ku të punësojë personat e margjinalizuar dhe pensionistët, aktivë për të punuar”.

Pana është e specializuar në prodhimin e mobiljeve unike me dru të ricikluar dhe në fushën e interior design.

Aktualisht “Pana” ka 350 m katrorë mjedis ku prodhohet, 500 klientë, 7000 ton mbetje druri, 17430 pemë të shpëtuara.

Pana ka 18 persona në staf dhe 10 artistë. Portofoli është i diversifikuar mes mobiljeve, suvenirëve, lodrave për fëmijë dhe interior design.

“Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe financiare, synimi ynë është eksporti.“- do të më thoshte do kohë më parë.

Pana ka fituar dhjetra çmime jashtë kufijëve për ide innovative dhe ka prezantuar Shqipërinë ndërkombëtarisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë