Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka shpërndarë një video, që sipas tij tregon faktin se si kryeministri Edi Rama nxjerr blof veten e tij, kur është fjala për pushimet që i bën jashtë Shqipërisë. Edhe pse kryeministri tregoi se prej 2013 nuk ka bërë asnjë ditë pushimi jashtë vendit, Paloka thotë se materiali me video fakton të kundërtën e asaj që thotë shefi i qeverisë shqiptare.
“Sa herë hap gojën që të mbulojë jetën luksoze, Edi Rama gënjen si derr! “Jo në Greqi, por askund tjetër nuk bëj pushime që nga 2013 si kryeministër”- thotë Edvin mashtruesi, që jeton në një vilë të paktën 2 milion euro, por të deklaruar shumë më pak. Per rifreskim të kujtesës për shqiptarët që nuk kanë pse mbajnë mend çdo mashtrim të Edi Ramës, më poshtë janë disa nga pushimet superluksoze të Ramës, të pranuara prej tij vetë, siç shikohet edhe në video”, shkruan Paloka.
Sipas tij, kryeministri ka kryer pushimet në Majami në SHBA, të pranuara me gojën e tij; në Boston në SHBA; në në Nju Xhersi në SHBA.
“Pushimet në Europë dhe Azi, nga Mynihu në Hong Kong, nga Stambolli në Nju Jork, nga Berlini në Rostok, sa herë hap ekspozita private. 10 ditë qëndroi vetëm në New York për ekspozitën që u hap në një nga galerite më të shtrenjta në botë. Pushime në Monte Karlo në klubin e miliarderëve te Monakos ( E justifikuar nga Endri Fuga, pasi u denoncua, si ftesë private e Princit te Monakos). Ky që mori helikopterin për të shkuar nga vila në Vlorë deri në aeroport ku e priste çarteri me të cilin shkoi në Torino, vetëm për të parë ndeshjen e Juventusit e për të bërë një foto me Ronaldon deklarohet me paturpësi, më së një here, se “nuk i pëlqen luksi” dhe pushimet i bën në Shqipëri…!!!”|, shkruan Paloka/
Më tej ai thekson se Rama jo vetëm ka bërë pushime jashtë vendit, por i ka bërë ato me shpenzime marramendëse, që nuk justifikohen me pasurinë e deklaruar prej tij. “Prandaj, Etilda Gjonaj nuk e ka problem të firmosë bileta avioni 2 milionë lekë dhe hotele 600-700 euro nata. Ajo thjesht ka ndjekur modelin e shefit të saj, Edi Rama, që gënjen pa u skuqur fare se nuk paska bërë kurrë pushime jashtë shtetit si kryeministër”, thekson më tej Paloka.
Disa ditë më parë mediat greke kishte botuar lajmin që kryeministri Edi Rama kishte vizituar Greqinë në mënyrë sekrete. Lajmi i botuar në ‘Trikala Voice’ sipas cilit ai kishte qëndruar me pushime të enjten në Greqi, duke qëndruar pasditen e 22 gushtit në hotelin ‘Panellinion’, në qendër të qytetit Trikala, ku është parë të pijë kafe. Ai ka qenë i shoqëruar nga disa roje.
Por ku lajm u përgënjeshtrua nga vetë Rama, ku me anë të një postimi në rrjetet sociale i cilëson si lajme kazani. “Mirë një kazan grek, po ju në Shqipëri o ju marrsha të ligat s’e verifikonit dot njoftimin e atij kazani, isha këtu apo kisha ikur fshehurazi me pushime në Greqi?Jo në Greqi, po askund përveçse në Shqipëri, s’kam bërë e s’bëj pushime si KM, qysh nga vera e 2013 deri në verën 2020 e X! Madje që ta merrni vesh me këtë rast, meqë s’e dini akoma (sepse gjërat kuptimplota në përgjithësi, e ato të qeverisjes në veçanti nuk ju interesojnë): Lëvizja për pushime është e kufizuar brenda kufijve të Shqipërisë edhe për ministrat. Kështu që kalinihta nga Surreli pedhaqia”, reagoi Rama përmes rrjeteve sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.