Politike

Palmer në Slloveni: Synojmë të hapen negociatat e Shqipërisë me BE në tetor

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Methju Palmer ka deklaruar në Forumin Strategjik në Slloveni se “mes 3 priotiteteve kryesorë të SHBA-ve për Ballkanin qëndrojnë negociatat për integrimin në BE të Tiranës dhe Shkupit.

“Ajo që kanë bërë SHBA-të dhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke më emëruar si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, është për të treguar që po përgjigjem ndaj asaj që na është kërkuar. Kemi dëgjuar nga rajoni, kemi dëgjuar rregullisht nga partnerët dhe aleatët tanë, se SHBA-të s’kanë qenë mjaftueshëm të pranishëm në Ballkanin Perëndimor, s’kanë qenë të angazhuar mjaftueshëm, ndaj synimi që kam në këtë rol, është të jem i pranishëm. Të jem në rajon, të udhëtoj nëpër Europë, të punoj me aleatë dhe parnterë për qëllimet tona të përbashkëta. Kjo përfshin dhe adresimin e disa nevojave bazë, për të cilat foli edhe kolegu ynë finlandez; rendi ligjor, liria e medias, transparenca, përgjegjësia e qeverisë, por gjithashtu, do të konkurrojmë për ndikim pozitiv, të cilin ta përdorim në mbështetje të një qëllimi më të gjerë, atë të integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet euro-atlantike.”- u shpreh i dërguari Palmer.

Në Forumin Strategjik që po mbahet në Slloveni, Methju Palmer pati kështu edhe prezantimin e parë si i dërguari i posatçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin.

Palmer po ashtu prezantoi edhe tre prioritetet që ka axhenda e tij në nisje të misionit në Ballkan. Kryefjala është hapja e negociatave këtë tetor për Shqipërinë dhe Maqedoninë, pakti Kosove –Serbi si edhe Bosnje Hercegovina.

“Kemi disa synime të rëndësishme, si ndihma ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të siguruar hapjen e negociatave me BE-në, mundësisht brenda tetorit; të ndihmojmë Serbinë dhe Kosovën që t’i kthehen dialogut, të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, si dhe të hapet udha drejt BE-së si për Serbinë, ashtu dhe për Kosovën. Duam të punojmë me Bosnje-Herzegovinën, për ta bërë atë një shtet funksional.”- tha Palmer


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë