Lajme

Pallati i Brigadave hap dyert të shtunën, prezantohen 30 punime artistike

Një nga monumentet e historisë dhe peizazhit urban i kthehet publikut si një nga pikat më të rëndësishme të atraksionit ambiental, historik, monumental dhe turistik të Tiranës.

Pallati i Brigadave do të hapë dyert këtë javë për të gjithë dashamirësit e artit duke pasuruar jetën kulturore të kryeqytetit.

Tridhjetë punime (vizatime, akuarele, pastele) do të prezantohen në ekspozitën e titulluar “Rizbulojmë Parkun”, duke përfaqësuar mbresat e artistëve të rinj, ndërkohë që qytetarët njëkohësisht do të mund të zbulojnë skulpturat, kopshtet, arkitekturën e ndërtesave dhe bukuritë e fshehura prej kaq vitesh të këtij Parku.

Për të zbuluar parkun vizitorët do shoqërohen jo vetëm nga një guidë që rrëfen më shumë rreth historisë dhe vlerave kulturore e mjedisore, por edhe nga tingujt e muzikës së harqeve të Liceut Artistik.

Ekspozita “Rizbulojmë Parkun” do të qëndrojë e hapur për qytetarët nga data 12-13 Maj, ora 11:00-17:00 tek Pallati i Brigadave.

Prej tre vitesh Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë iniciativash për të afruar qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë me artin, por njëkohësisht edhe me këto atraksione turistike të qytetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë