Arsim

Pakti për Universitetin, a u (zh)gënjyen studentët?

Në fillimdhjetor të 2018-ës një bërthamë studentësh do të nisnin protestat në kryeqytet për arsye ekonomike.

“Molla” e protestave do të ishte një Vendim i Këshillit të Ministrave për pagesë të provimeve të mbartura.

Nga një bërthamë studentësh, protesta do të merrte përmasa të paimagjinueshme edhe pse pa një grup të strukturuar drejtuesish, ajo do të frymëzonte shumëkë, madje do të krahasohej edhe me protestën e dhjetorit 1990 duke shpresuar se do të ishte një dhjetor i dytë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht asaj shumice të pakënaqur nga keqqeverisja e këtyre 30 viteve.

Studentët në ditët në vijim të protestës do të dilnin me "kushtetutën" e tyre duke kërkuar plotësimin e 8 kërkesave nga ana e qeverisë, kërkesa që nuk do të ishin më thjesht dhe vetëm ekonomike; që nga heqja e tarifës për provimet e mbartura, përgjysmimi i tarifave për vitin akademik si për programin bachelor dhe master, bursa për të gjitha kategoritë, kushte në konvikte, auditore, biblioteka , 5% e PBB-së të shkojë për arsimin, funksionimin e kartës së studentit, kërkim shkencor cilësor, etj. Mandej do të shtonin edhe një kërkesë të nëntë, atë të shfuqizimit të ligjit për arsimin e lartë, që sipas disa syreshëve ishte thelbi i protestës dhe keqshkuarjes së arsimit.

Këkërkesa që u mbështetën edhe nga një sërë pedagohësh në ditët në vazhdim që iu bashkuan protestës, e cila do të kishte si kokë turku ministren e asokohe Lindita Nikollën.
Kryeministri Rama, pasi do të dështonte në realizimin e një dialogu të mundshëm me studentët, të cilët e refuzuan deri në fund takimin me të, do të miratonte një sërë VKM-sh urgjente duke deklaruar se nga 8 kërkesa, kishte plotësuar 12.

Protesta mandej do të merrte forma të ndryshme; nga rruga në fakultete derisa u zbeh dhe përfundoi tërësisht.

Gati një vit pas protestës së studentëve, a janë realizuar realisht kërkesat e tyre?
Pas një viti një grup studentësh të Fakultetit Filologji dhe Histori dhe të Fakultetit të Drejtësisë kanë rinisur sot (të mërkurën) protestën e iniciuar nga Rezistenca Rinore duke bojkotuar mësimin.

Organizata “Rezistenca Rinore”, shkruan në rrjetet sociale se lëvizja e madhe studentore do të rinisë kundër mashtrimit me Paktin.

“Studentet e revoltuar të Fakultetit të Histori-Filologjisë fillojnë bojkotin masivisht për të nisur lëvizjen e madhe studentore kundër mashtrimit me paktin. Suksese vëllezër student! Në ora 11:00 të gjithë te Korpusi!”, citohet në njoftimin e tyre të shpërndarë në llogarinë e Facebook.

Të pyetur nëse do të jenë pjesë të protestës “Lëvizja për Universitetin”, përfaqësues të saj thonë për gazetën “Si”, se “Kërkesat nuk janë plotësuar, por protestën e përcakton vullenti dhe mobilizimi i studentëve.”

Teksa në protestën e saponisur vihen re fytyra të reja dhe organizatorë të rinj, disa syresh, pranë protestës thonë se “ajo është organizuar nga strukturat e PD-së”.
Në një ballafaqim me çfarë kërkuan dhe çfarë është realizuar nga pakti për Universitetin, “Lëvizja për Universitetin” do të shkruante pak kohë më parë në faqen e saj në facebook:


“Edi Rama e nisi ditën herët me gënjeshtrat për studentët që i ka titulluar Pakti Për Universitetin. Duket sikur gjumin e ka pasur të trazuar nga protesta që vjen më 4 dhjetor.
Flet për 90 mijë studentë të cilëve iu është përgjysmuar tarifa, por ndërkohë studentët e masterit (me përjashtim të atyre me mesatare mbi 9) që mbajnë barrën më të rëndë, nuk kanë përfituar nga kjo ulje e përkohshme”- citon “Lëvizja për Universitetin, duke renditur më tej atë çfarë nuk është realizuar sipas saj:

Flet për 12 mijë bursa, por sot nuk mjafton që një student të jetë jetim me një prind. Që të fitojë bursë duhet që prindi i vetëm të jetë edhe i/e papunë.

Flet për investime në konvikte, por bojatisjen e përkohshme të mureve e ka rreng të vjetër me të cilin nuk e mashtron dot gjeneratën e re.

Flet për qasje në bibliotekën digjitale, por ajo ekziston vetëm në imagjinatën e tij digjitale. Studenti ka nevojë për biblioteka dhe laboratorë materialë, jo digjitalë.
Flet për rritje të kërkimit shkencor, por askush s’e di si e ka matur këtë rritje Edi Rama.
Flet për anti-plagjiaturë, por deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për plagjiaturë.

Flet edhe për shpërndarje të kartës së studentit, dhe këtu thotë të vërtetën. E ka shpërndarë kartën për të rritur myshterinë e klientëve të Erion Veliajt. Sa për nevoja studentore, ajo kartë s’vlen as sa tesera e fressh-istit.

“Studentët sot dinë ta bëjnë ndarjen. Ata ose Lëvizin Për Universitetin, ose i bashkohen brekusheve të Paktit Për Universitetin. Rrugë të mesme s’ka!”- përfundon postimi i Lëvizjes.

Në muajin korrik, Qëndresa Qytetare nëpërmjet nismës “Arsimi në Fokus” me mbështetjen e Qendrës Olof Palme, do të publikonte gjetjet e monitorimit të dytë për zbatimin e “Paktit për Universitetin” duke përfshirë çdo akt, afat, vendim apo iniciativë të adresuar në një dokument politikash.

Gjetjet kryesore të monitorimit:

Karta e Studentit dhe Investimi në konvikte u zbatua vetëm në nivel lokal duke diferencuar studentët e Tiranës nga ata të 5 bashkive të tjera universitare, të cilat nuk përfituan asnjë fond për investime në konvikte si dhe studentët e këtyre universiteteve të mos gëzojnë të drejtën ligjore për t’u pajisur me Kartë Studenti.

35 anëtarët e rinj të bordit përfaqësues të MASR u premtuan se do të ishin figura publike por vetëm 13 prej tyre janë figura publike, ndërsa 22 anëtarë janë persona me profil të ulët sa i përket prezencës dhe informacionit që gjendet për ta në publik. Nga 35 anëtarët e emëruar, 18 janë funksionarë të administratës publike, 8 nga bota akademike, 6 nga shoqëria civile dhe sektori privat dhe 3 nga fusha e gazetarisë.

Procesi i zgjedhjes nga studentët i anëtarëve përfaqësues të MASR në bordet e administrimit tejkaloi afatet e parashikuara, u shoqëruan me mungesë transparence dhe pjesëmarrje (11% në UT). Mungesa e rregullores specifike mbi procesin e votimeve solli cenim të së drejtës së votës pasi MASR në disa raste përzgjodhi kandidatët jo në bazë të votave të studentëve, por në bazë të kodit të procedurave administrative.

Buxheti në dispozicion të Kartës së Studentit për vitin 2019 nga MASR është 0 lek. Karta e Studentit e prodhuar nga bashkia përmban 40 shërbime të miratuara nga Këshilli Bashkiak duke ofruar ulje për vizitat në muze, teatër e kinema, por nuk përfshin nevojat bazike të studentëve si transporti, ushqimi, kancelaritë, librat dhe komunikacioni.

Qeveria nuk mbajti premtimin për nisjen e procesit të rishikimit të titujve shkencorë dhe kontrollit anti-plagjiaturë brenda muajit Qershor 2019 sipas VKM nr. 777. Gjatë kësaj periudhe asnjë titull shkencor nuk është kontrolluar apo raportuar për plagjiaturë në universitete.

Sondazhi Kombëtar i Studentëve anashkaloi trajtimin e fenomenit të korrupsionit në universitete për raste dhe emra specifikë dhe krijimin e dosjeve personale të pedagogëve sipas vlerësimit të studentëve.

Rezultatet e sondazhit nuk janë bërë ende publike megjithëse ky proces duhet të mbaronte në 2 maj 2019.

Biblioteka online përmban një numër të lartë të materialeve shkencore në gjuhë të huaj, megjithëse kjo platformë kushtoi 687.825 USD studentët nuk arrijnë të gjejnë informacion që përkon me kurrikulat e tyre mësimore dhe nuk aksesojnë asnjë libër apo material shkencor në gjuhën shqipe.

Qeveria kishte parashikuar që brenda muajit Maj 2019 të krijojë Fondin e Solidaritetit për arsimin e lartë, ku 20 % e fondit të përgjegjësisë sociale të koorporatave që gëzojnë kontrata koncesionare të shkojnë për financimin e Arsimit të Lartë, por ende nuk ka asnjë shifër ose dokument publik që provon krijimin e Fondit të Solidaritetit.

Portali U-transparenca përmban të dhëna zyrtare mbi CV-të e pedagogëve dhe Anëtarëve të Bordeve por shfaq problematika në zbardhjen e vendimeve të Bordeve, prokurimet publike dhe qartësinë e treguesve financiarë për studentët.

Premtimet e qeverisë

Ndërkaq në sezonin e verës kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama në vizitë në Qytetin Studenti do ti prezaonte atij ndërhyrjet e bëra në godina të caktuara dhe planet për të ardhmen.

Po në muajin korrik në Amfiteatrin e Arteve në Tiranë do të prezantohej Kampusi Universitar.

“Dua të flas pak për Paktin për Universitetin. Në dhjetor dëgjuam studentët dhe në janar hartuam planin, i cili ka në vëmendje studentët për punësim dhe projekte studentore. Do të shtojmë buxhetin për bursat dhe për shërbimet e tjera që i nevojitet studentëve. Shtesa këtë vit kapi vlerën e 2 mld lekëve të reja. Këtë do e realizojmë edhe më mirë vitin tjetër. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Ministrinë e Kulturës. Me Bashkinë kemi mundësuar pajisjen e studentëve me karta. Portalin për transparencën financiare dhe kemi mundësuar që kushdo të shohë financimin për çdo universitet. Një plan, i cili është mbyllur tani vonë, ka të bëjë me statusin e veçantëDua që ju si studentë të prezantoni kërkesat tuaja. Pakti nuk realizohet pa ju”, do të deklaronte Ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Madje për realizimin e Kampusit Univeristar do të anulohej edhe ndërtimi i rrugës Thumanë-Kashar me vlerë 225, 8 mln lekësh.

Pra transferimi i hapësirës fiskale në këtë rast do të thotë një tender i ri për shumën fillestare 245 mln lekë për Kampusin Universitar dhe produket të tjera infrastrukturore universitare në kuadër të Paktit për Universitetin të përgatitur në funddhjetor si pasojë e protestës studentore.

Në fakt, projekti për një kampus të mundshëm universitar në Tiranë do të niste në vitin 2009 kur Rama, sot kryeministër, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës, luftonte për mandatin e katërt për të qeverisur kryeqytetin dhe përballë kishte liderin e e PD-së sot, Lulëzim Bashën.

Kampusi universitar prej idesë virtuale të ndërtimit në 2010 do të bëhej kalë beteje i çdo fushate elektorale për fitoren e Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore pasardhëse.
Teksa në 2015-n u hap konkursi për Kampusin, me pjesëmarrjen e disa ekipeve të huaja dhe shqiptare. Në atë konkurs doli fitues ekipi me arkitekt Pier Paolo Tamburelli që Kryeministri Rama e prezantoi në korrik 2019 në një takim me studentë në Qytetin Studenti.

Por kur do të nisë ndërtimi i Kampusit Univeristar?

“Bibilioteka kombetarë kushton sa teatri. Nuk kemi buxhet ta ndërtojmë bibliotekën kombëtare. Me se do të ndërtojmë kampusin e ri? Do të ftojmë investorët. U themi ndërtoni ju. U themi e duam tani dhe ju do ju paguhet me kohë. Rruga e Arbrit përse nuk u bë për 30 vite. Mua si kryeministër më intereson tu jap rrugën e Arbrit dibranëve apo të mos më akuzojnë se ti po vjedh. Fjalët do t’i marrë era, në fund do jenë veprat. Kemi një Teatër Kombëtar ku një trupë e huaj nuk vjen dot. Këto janë mundësitë. Arsyeja është që të kemi teatër sot, teatrin e fëmijëve sot, bibliotekën sot. Si ta bëjmë ne? Dini formë tjetër. Nuk e kam shpikur unë PPP. Shikoni Turqinë si ishte dhe si është. Shikoni sa % e ka partneritet publik privat.”- do të thoshte pak kohë më parë kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë