Politike

Pakti mes Rithemelimit e Ramës, sa afër aq edhe larg/ Çfarë u arrit në parim, hileja për shmangien e Bashës nga reforma zgjedhore dhe ngërçi për hetimoret

Pas mbledhjes formale të Konferencës së Kryetarëve,  Partia Socialiste dhe PD e Rithemelimit kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 i cakton Bledi Çuçi  dhe 2 i cakton Gazment Bardhi).

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirës, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Nesër mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e Nënkomisionit.

Ngërçi për hetimoret  

Partia Socialiste dhe PD e Rithemelimit janë dakordësuar në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore, konkretisht për koncensionet në Shëndetësi si dhe për daljen e të dhënave sistemi ‘TIMS’.

Rithemelimi kërkon ngritjen e komisioneve hetimore për rrjedhjen e të dhënave dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS  ndërsa tjetri për 4 koncensionet e sterilizimit në Shëndetësi.  Gjithësesi kjo është një dakordesi në parim, pasi pritet që të ketë diskutime për objektin e hetimit që do të diskutohet konkretisht nesër. Kjo është e para.

E dyta lidhet se me cilin  ligj do të ngrihen komisionet hetimore, ajo me ligjin e vjetër ku bazohej opozita apo me ligjin e ri të cilin grupi ‘Bardhi’ e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese.

Vetë Gazment Bardhi u shpreh për mediat se dy komisionet hetimore do të ngrihen në bazë të Kushtetutës duke lënë të kuptohet se do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore. Bardhi ka kërkuar më herët që gjykata Kushtetuese të marrë një vendim sa më shpejt për këtë çështje. Deputetja Elisa Spiropali, njëkohësisht ministre e Shtetit për Parlamentin nënvizoi gjithashtu se komisionet hetmore do të bëhen sipas Kushtetutës.

Reforma zgjedhore  

Pikë tjetër diskutimi është kërkesa e PD së së Rithemelimit për bashkëdrejtimin e reformës zgjedhore për të cilën nuk tha asgjë për mediat kreu i grupit parlamentar i PS-së, Bledi Çuçi.

Ai tha se ka një komision aktual ku janë të përfaqësuara të gjitha palët që funksionon, po punohet nderkohe me ekspertët e ODIHR për të adresuar çështje të Kodit, të cilat më pas do të trajtohen.

Por Çuçi pranoi pas disa lojëra fjalësh edhe variantin se komisioni për reformën mund ta mbyllë mandatin (21 mars) edhe pa konsensus.

Bardhi në anën tjetër tha se zgjidhja për reformën zgjedhore mund të gjendet tek nënkomisioni për reformat për të cilën është rënë dakord të ngrihet paraprakisht me katër anëtarë. Bardhi tha se njeri anetar do te jete Oerd Bylykbashi ndersa tjetrin do ta vendose grupi.

Bardhi kujtoi disa herë për mediat se komisioni aktual për reformën e mbyll mandatin më 21 mars, duke mos lënë aludime për zgjatje të mandatit. Aktualisht në komisionin për reformën zgjedhore, opozitën e përfaqëson Enkelejd Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë