Taksa

Ankohen deputetët-Paketa Fiskale nuk ka llogaritur efektet

Nga Gazeta 'SI' - Në komisionin e radhës së Ekonomisë, bashkë me prezantimin e buxhetit dhe paketës fiskale 2023 janë rikthyer edhe debatet për mosrespektimin e rregullores së Kuvendit dhe prezantimin e buxhetit para ndryshimeve fiskale.  

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kundërshtoi përsëri faktin që qeveria ka parashikuar efektet në buxhet të disa ligjeve kur ato nuk janë miratuar ende, përfshirë atë për bastet sportive dhe ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat.

“Na duhet informacioni për ligjet, t’i lexojmë. Vijmë këtu kur të ketë kohë ministrja, çdo moment të ditës apo natës. Keni arrogancë që vjen edhe nga pushteti, por si në drejtimin e Jozefina Topallit dhe të Gramoz Ruçit, nuk ka ndodhur kurrë që deputetët të vijnë e të diskutojnë për ligje që nuk kanë hyrë në fuqi dhe me efekte financiare që reflektohet në buxhet”, - u shpreh Tabaku.

Po ashtu, deputeti Edmond Spaho, tha se procedurat e ndjekur janë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe vetë komisionit. “Ose paketa shqyrtohet para buxhetit ose të dyja njëkohësisht, asnjëherë pas buxhetit. Gjithsesi ju do ta miratoni. Deputetëve nuk u është vënë në dispozicion paketa. Dimë vetëm tre ligje, por tre ligjet e tjera që thonë se kanë efekt të madh në buxhetin e shtetit? Kjo nuk ka kuptim”, - tha Spaho.

Në dakordësi me deputetët e opozitës ishte dhe deputeti socialist Erion Braçe, duke pranuar se ishte gabim i drejtuesve të komisionit, pasi paketat fiskale dhe buxheti shqyrtohen gjithmonë bashkë.

“Kemi të dyja palët detyrime, të dyja jemi konsumatorë. Ta lëmë procedurën, por t’i hyjmë punës tani”, - kërkoi deputeti Braçe. Ai i shtroi dhe tre kërkesa ministres së Financave, e pranishme në komision, rreth analizave që qeveria ka bërë kur ka propozuar ndryshimet fiskale.

“Së pari, unë dua një llogari të efektit të taksave të reja dhe përjashtimeve tatimore në buxhet, të ndara sipas sektorëve që përfitojnë. Së dyti, pas një viti në fiskalizim na duhet një analizë mbi këtë proces dhe efektet që dha. Së treti, dua të shoh analizën që keni bërë për ju kur thoni se do të taksoni me 8% të ardhurat nga kapitali, taksim i sheshtë e do të fusni në shkallë progresive rrogëtarët e profesionet e lira”, -përfundoi deputeti socialist.

Paketa fiskale 2023

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit të paketës fiskale të vitit 2023, tha se projektligjet janë konsultuar për një kohë të gjatë me bizneset dhe se janë marrë parasysh kërkesat, ankesat dhe sugjerimet e tyre për ndryshime.

Duke iu përgjigjur kritikave për “dënimin” e bizneseve të mëdha me dyfishimin e gjobave, ministrja tha se kjo do të ndodhë me qëllim formalizimin e ekonomisë dhe ndalimin e evazionit dhe fshehjeve të punonjësve apo pagave.

Ajo përmendi pikat përbërëse të paketës fiskale 2023, nga përjashtimet e TVSH-së, heqja e akcizës të ardhurat që pritet të vijnë nga këto ndryshime.

“Nga këto ndryshime ne parashikojmë që të ardhurat të kapin vlerën e 625.7 mld lekëve, nga të cilat 578 mld lekë janë të ardhura tatimore. 431 mld lekë jenë të ardhura nga tatimet e doganat dhe do të rriten me 7.7% nga 2023-shi. Të ardhurat totale do të shkojnë 28% të PBB-së vitin e ardhshëm. Konsolidimi i financave publike dhe ulja e deficitit buxhetor është objektivi kryesor i MFE-së”, -tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë