Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me anë të një deklarate për mediat deklaroi se ajo dhe partia e saj ofrojnë mbështetje totale për të gjithë ata që luftojnë për lirinë e shprehjes, duke iu referuar paketës antishpifje, të cilën qeveria kërkon ta kalojë në parlament më 19 dhjetor.
“Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpreh qëndrimin edhe njëherë të qartë për sa i përket paketës antishprehje që Edi Rama ka çuar në Parlament. Liria e shprehjes dhe demokracia në Shqipëri sot gjenden në buzë të greminës. Edi Rama kërkon që të jetë e vetmja gojë që flet në Shqipëri. Ai tashmë i ka shpallur luftë çdo të vërtete, ngado që vjen ajo, nga goja e një qytetari, nga një media apo nga një politikan. I gjithë opinioni ndërkombëtar tashmë është shprehur qartë, OSBE dhe Këshilli i Europës. Pra nga një paketë anti shpifje e cila trumbetohet nga Edi Rama dhe falangat e tij, nuk mbetet gjë tjetër veçse të cilësohet si paketa antishprehje”, shprehet Kryemadhi.
Kryemadhi shprehet se kryeministri tanimë është vendosur haptazi kundër Europës, duke nxjerrë në pah sipas saj axhendën antieuropiane dhe antishqiptare.
“Edi Rama tashmë është vendosur haptazi kundër Europës. Ai tashmë po kundërshton dhe është në kundërshtim flagrant me direktivën evropiane për lirinë dhe rregullimin e mediave. Ky është një fakt tjetër i pakundërshtueshëm që tregon se axhenda e Edi Ramës është prej kohësh një axhendë anti-europiane dhe anti-shqiptare. Sot të gjithë shqiptarët që Edi Rama kërkon tu rrëmbejë lirinë e shprehjes, janë të gjithë së bashku, pasi gjithsecili ka se çfarë të thotë për këtë qeverisje të kriminalizuar dhe të korruptuar, pasi çdo e vërtetë që del sheshit, tregon qartë se përse shqiptarët braktisin Shqipërinë e tyre dhe se përse Shqipëria është në një mjerim ekonomik”, thotë Kryemadhi.
Kryetarja e LSI paralajmëroi se kryeministri Edi Rama do ta humbasë betejën me gazetarët dhe të vërtetën.
“Mbështetja jonë është totale, qoftë për njerëzit e mediave, qoftë për përfaqësuesit e saj dhe për këdo që lufton për lirinë e shprehjes. Liria e shprehjes është ajo që bën ndarjen e demokracisë nga diktatura dhe kjo është një betejë e humbur e Edi Ramës, si çdo betejë që është e humbur përpara së vërtetës. Asnjë kompromis nuk ka dhe nuk do të ketë në këtë princip të shenjtë që bën ndryshimin midis njerëzve të lirë dhe skllevërve”, shprehet ndër të tjera Kryemadhi.
Ditën e nesërme, gazetarët shqiptarë do të zhvillojnë një protestë para Parlamentit, në orën 09:30, kundër paketës anti-shpifje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.