Para

Pagesat me e-banking dominojnë transfertat bankare për të dytin tremujor radhazi

Nga Gazeta ‘Si’-Edhe në tremujorin e dytë të vitit, transaksionet bankare nëpërmjet e-banking kanë shënuar rritje.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 3.3 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar, 56% e tyre ose rreth 1.85 milionë veprime në total u kryen në formë jo-letër.

Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.

Gjatë tremujorit të dytë, rreth 35% e vlerës së përgjithshme të transfertave u krye nëpërmjet veprimeve të distancë, nga 33% që kishte qenë pesha e tyre në tremujorin e mëparshëm.

Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri e ofrojnë shërbimet e bankingut në distancë. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për shkuar domosdoshmërisht në degë.

Në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave të BSH-së, numri i transaksioneve të kryera me kartë ishte 8.5 mln. Një vit më parë në të njëjtën periudhë, ishin kryer 7.3 mln transaksione, pra një rritje 16.2%.

Në fund të vitit të shkuar, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 878 mijë, në rritje vjetore me 24%. Vlerësohet se tashmë 28.2% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 23.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2021.

90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 25% më shumë.

Për sa i përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 16%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë