Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca gjyqësore mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës, pasi kreu i grupit parlamentar socialist paditi për shpifje kryetarin e Partisë Demokratike.
Basha është paditur për çështjen e 3,4 milionë eurove të gjetura në dy makina Toyota Yaris, në Portin e Durrësit.
Në seancë nuk është i pranishëm Lulzim Basha, i cili përfaqësohet nga Gazment Bardhi dhe Ivi Kaso, ndërsa Taulant Balla ishte i shoqëruar nga avokati Gentjan Rumano.
Pas seancës gjyqësore, Taulant Balla është prononcuar për kamerat duke u shprehur se nuk e besonte se Basha do të vinte ndonjëherë që të përballej.
“Ata që na ndjekin thonë që ja këta këtë punë kanë dhe nuk merren me hallet e njerëzve po me njeri-tjetrin. Besoj që sot edhe në procese të ngjashme po i bëjmë një shërbim politikës shqiptare në tërësi për të ndarë përfundimisht shpifësit nga e vërteta dhe në rastin në fjalë unë e dija, ju të gjithë e dini që Lulzim Basha ka fobi nga këto godinat dhe nuk besoj që do paraqitet ndonjë ditë pavarësisht se burrërrisht i takon të vijë e të përballet”, tha ndër të tjera Balla.
3.4 mln eurot u gjetën në 2 automjete “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, për të cilën Basha akuzoi Ballën dhe kjo është padia e parë që do shqyrtohet lideri demokrat. Ndërsa padia e dytë është ajo për dekonspirimin e operacionit të policisë. Lulzim Basha foli në parlament se ishin nisur drejt Shqipërisë një shumë e konsiderueshme eurosh brenda një automjeti “Toyota Yaris” ngjyrë e kuqe.
Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat katër personat e arrestuar pas kapjes në portin e Durrësit, Edi e Klevis Lika, Alban Mollaymeri dhe Agim Çeka. Ndërkohë, Alfred dhe Elvis Vladi janë shpallur në kërkim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.