Njerez

Pacienti i parë drejt shërimit nga COVID-19 në Shqipëri: Përjetova simptomat dy ditë para se të kthehej djali nga Italia

Pacienti i parë ka deklaruar për mediat se prej 10 ditësh së bashku me të birin, ndodhen të shtruar në Spitalin Infektiv. Ai tregon se situata e djalit është e mirë, ndërsa ai po pret analizën e dytë për të kuptuar nëse është shëruar plotësisht.
Pacienti me identitetin V.Kola, deklaroi se ai nuk e ka marrë virusin nga djali i tij, por ka qenë ai që ka infektuar djalin. Pacienti tregoi se dy ditë përpara se djali i tij të kthehej kishte pasur shtrëngim në gjoks dhe dhimbje koke e të tjerë. Më tej ai ka theksuar se më pas të njëjtat simptoma i kishte hasur dhe i biri.
“Unë fillimisht para se të vinte djali kam pasur shenja, nuk e ka sjellë djali, nuk e di ku e kam marrë në Shqipëri. Djali ka ardhur shumë mirë nga Italia, ai ka qëndruar me të afërm në Itali, dhe asnjëri nuk është me koronavirus, ka hipur në Firence dhe ka ardhur në Tiranë me datë 25. Nuk ka ndaluar fare. Mirëpo unë, dy ditë para tij kam pasur dhimbje koke dhe temperaturë, marrje mëndësh, shtrëngim gjoksi, pastaj e ka kapur edhe djalin. Shkuam tek Spitali Amerikan për tu vizituar, dhe kishte një mjek, bëmë analizat dhe na rekomanduan infektivin për të bërë testin. Ne u treguam të sinqertë dhe morën nga telefoni 127,” ka deklaruar ai.
Pacienti tha që ka përjetuar një provë që nuk ja uron askujt. Ai ka treguar se përjetimi është shumë i frikshëm, ndërkohë që ka treguar gjithashtu se terapinë kryesore e kanë marrë një herë në 12 orë dhe falënderon stafin e personelit mjekësor duke i quajtur ata heronj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë