Futboll

Pa miqtë Boban dhe Maldini, Ibrahimoviç do të largohet nga Milani

Zllatan Ibrahimoviç po e kalon këtë periudhë emergjence në Suedi, një vend që ka zgjedhur të mos mbyllet në karantinë, ndryshe nga gjithë pjesa tjetër e botës. Në shtëpinë e tij në Malmoe, sulmuesi veteran mund të reflektojë më mirë për rrugën që do të ndjekë pas përfundimit të pandemisë.

E ardhmja e tij duket se nuk do të jetë kuqezi. Nga njerëzit pranë tij është mësuar se suedezi është i zhgënjyer nga ndryshimet që po pëson Milani. Ibrahimoviç nuk do të ketë më në klub dy miqtë e tij, Paolo Maldinin dhe Zvonimir Bobanin. Kjo dyshe ishte duke programuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, me Ibrahimoviçin në qendër të projektit, pas impaktit shumë pozitiv që sulmuesi pati gjatë 3 muajve si kuqezi. Por skenari ka ndryshuar tashmë.

Boban nuk është më drejtues i Milanit, ndërsa Maldini mund të largohet në korrik. Ka fituar linja e Ivan Gazidis, me të cilin Ibrahimoviç do të ketë një takim në fund të sezonit. Por, ata që e njohin mirë suedezin, betohen se është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ai të pranojë projektin e administratorit të Milanit. Me shumë mundësi, Ibrahimoviç do të varë “këpucët në gozhdë” pas këtij sezoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë